Lidhje

Kosovë: Shkarkohet ministri Aleksandër Jablanoviç


Kryeministri i Kosovës tha se ministri Jablanoviç, nga sot nuk është pjesë e qeverisë së Kosovës - opozita anulon protestat e paralajmëruara për të mërkurën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkarkoi nga detyra ministrin për kthim dhe komunitete Aleksandër Jablanovic, i cili nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar. Vendimi u bë publik në një konferencë të jashtëzakonshme të kryeministrit Mustafa, i cili tha se ditëve të fundit vendi është përballur “me kërkesat e protestuesve, në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe sa i përket ministrit Jablanoviç. Unë mund t’iu njoftoj se nga sot ministri Jablanoviç nuk është pjesë e kabinetit qeveritar”.

Vendimi i sotëm pasoi protestat që shpërthyen në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e javës së kaluar në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Ndonëse, ministri serb kërkoi falje për deklaratën e tij, opozita dhe organizatat që mbështetën protestat thanë se ajo nuk mjafton.

Ministri Jablanoviç, i tha Radios Evropa e Lirë se “vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai vetë e ka vendos dhe për ne është i papranueshëm. Mendojmë se nuk është dashur t'u nënshtrohet presioneve të lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së zotit Ramush Haradinaj. Kryeministri e ka marrë vendimin që ka marrë. Për hapat e mëtejmë të Listës Serbe do të vendosim në ditët në vazhdim, pas këshillimeve brenda Listës serbe”.

Vendimi bëri që opozita të heq dorë nga protestat e paralajmëruara për të mërkurën. Lëvizja Vetëvendosje tha se shtyhet për afat të pacaktuar protesta duke paralajmëruar se ato mund të rifillojnë varësisht nga veprimet e qeverisë për sqarimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça.

Kryeministri Mustafa tha se asnjë vendim për Trepçën nuk do të merret pa u këshilluar me partnerët, grupet e interesit dhe me qytetarët e Kosovës.

Më 19 janar, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të Trepçës. Por, qeveria hoqi dorë nga synimi për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike. Ajo tha se e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Ajo tha se për Trepçën do të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet prej 1 miliardë e 400 milionë eurosh që ka ky kompleks. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit

Opozita akuzoi qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se ai është pronari kryesor i Trepçës dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

XS
SM
MD
LG