Lidhje

Kosova shënon ditën kombëtare të të zhdukurve


Edhe 16 vjet pas luftës, mbetet i pandriçuar fati i mbi një mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare

Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, bënë thirrje sot që çështja e të zhdukurve të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata kërkuan të hënën edhe përshpejtimin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve dhe ndjekjen ligjore të personave përgjegjës për zhdukjen e tyre. Këto ishin pjesë e kërkesave që u shtruan në një seancë të posaçme të parlamentit të Kosovës me rastin e 27 prillit ditës kombëtare të të zhdukurve.

Kosova ka caktuar 27 prillin ditë kombëtare në përkujtim të ngjarjeve të ditës së sotme të vitit 1999, kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës u vranë afro 400 shqiptarë.

Përfaqësuesi i familjarëve Bajram Qerkinaj, tha se të afërmit e të zhdukurve jetojnë në ankth e vuajtje tash e 16 vjet me radhë, por po ashtu me këmbëngulje vazhdojnë të kërkojnë ndriçimin e fatit të tyre dhe vënien në vend të drejtësisë.

Ne vuajtëm shumë. Unë po flas në emër të familjarëve, edhe të 1.650 personave të pagjetur. Në emër të familjarëve që vazhdojnë të vuajnë, në emër të familjarëve që vazhdojnë të presin lajme për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Në emër të atyre familjarëve, për të cilët lufta ende nuk ka përfunduar dhe liria për ta nuk e ka kuptimin e plotë”, tha ai.

Një përmendore në qendër të Prishtinë u zbulua të hënën në kujtim të te zhdukurve, një çështje që sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, do të jetë çështje parësore e institucioneve.

Do ta bëjmë këtë çështje jo vetëm çështje të Kosovës, por do ta bëjmë edhe çështje ndërkombëtare sepse do të insistojmë me çdo kusht që për këtë të diskutohet në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin, që të bëhet presion mbi Serbinë, në mënyrë që të kthehen familjarët. Por, po ashtu jo vetëm të kthehen, por edhe të marrin përgjegjësinë para ligjit dhe para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakra, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe dhe të gjithë ata që e shkaktuan këtë dhimbje dhe këtë padrejtësi në vendin tonë dhe familjet tona”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, nëpërmjet një deklarate tha se “zbulimi i së vërtetës në mënyrë që t'u mundësohet familjeve të viktimave të mbajnë zi për të dashurit e tyre mbetet një detyrë urgjente dhe bashkë me gjetjen e përgjegjësve për krimet dhe ndjekjes së tyre në mënyrë që të sillen para drejtësisë, është parakusht për pajtim midis komuniteteve”.

Ai tha se 27 prilli duhet të shërbejë si shtysë për institucionet përgjegjëse për ta përshpejtuar këtë proces. Në këtë ditë, BE-ja u bën thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd për ta rritur angazhimin politik të qeverive të tyre dhe mbështetjen për informacionet e reja lidhur me fatin dhe vendndodhjen e personave të pagjetur dhe lokacioneve të reja të varreza.

BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje politike dhe financiare për këtë proces. “Më konkretisht, Zyra e BE-së në Kosovë po e shqyrton mundësinë e zotimit deri në fund të kësaj vere deri në 350 mijë euro për të mundësuar testet e ADN-së për rastet e gjetura gjatë vitit 2014 dhe gjetjet që pritet të pasojnë”, thuhet në deklaratën e zotit Zbogar.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG