Lidhje

Kosova shënon ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur


Ditën ndërkombëtare për persona të zhdukur, Kosova edhe këtë vit e shënon me fatin e pandriçuar të mbi një mijë e 600 personave. Shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë t'u bëjnë thirrje autoriteteve vendase e ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për të gjetur një përgjigje për fatin e të afërmeve të tyre.

Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj tha për Zërin e Amerikës se edhe 17 vjet që nga përfundimi i luftës, sfidë për gjetjen e personave të zhdukur mbetet mungesa e informatave.

“Kjo ditë do të shërbejë si homazh, si përkujtim, si nderim por edhe si kërkesë që të trokitet në dyert e ndërgjegjes të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të punohet më shumë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Në radhë të parë këtu adresë kryesore e jona është Serbia, të bëhet presion të detyrohet Serbia që të hap arkivat dhe të tregojë për vendndodhjen e varrezave individuale dhe masive sepse derisa 1660 persona na mungojnë do të thotë diku janë dhe mendojmë se ka ende varreza masive në Serbi”, tha zoti Gjetaj

Kosova shënon ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Ndërsa, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili vuri kurorë lulesh në pllakën përkujtimore për personat e zhdukur në qendër të Prishtinës tha se institucionet do të bëjnë edhe më shumë që sa më shpejtë të zbardhet fati i çdo të pagjeturi.

“Është një plagë kjo e cila na mundon të gjithëve dhe mund të them lirisht se vetëm shpresë, optimizëm dhe besim të ndërsjellë kjo çështje mund të zgjidhet me një vullnet dhe mbështetje të fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare”, tha presidenti Thaçi.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 666 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG