Lidhje

Kosova shënon ditën e të zhdukurve

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, sot është dita kombëtare e personave të zhdukur gjatë luftës. Ndonëse kanë kaluar 14 vjet nga konflikti, ende nuk dihet asgjë për fatin e 1750 personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë. Kosova ka caktuar 27 prillin si ditë kombëtare të të zhdukurve në përkujtim të ngjarjeve të vitit 1999 kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës atë ditë u vranë afro 400 shqiptarë. Trupat e shumicës prej tyre ishin fshehur për një kohë në një varrezë masive në Serbi.


Në qendër të Prishtinë, të premten në mbrëmje u ndezën 1 mijë e 750 qirinj, të mbuluar me nga një pikëpyetje.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kësisoj shënoi 27 prillin ditën kombëtare të personave të zhdukur në Kosovë.

Kjo datë u vendos në kujtim të ngjarjeve të prillit të vitit 1999 kur qindra shqiptarë qenë vrarë në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës që cilësohet si vrasja më e madhe masive gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë kësaj jave, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se prokurorët e këtij misioni kanë filluar hetimet për krime të luftës të kryera në komunën e Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke i përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe, në këtë komunë.

Në njoftim thuhet se deri tani, “prokurorët kanë identifikuar afërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për krime të luftës kundër popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 vetave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake”.

Shumica e trupave të viktimave të ngjarjeve në Mejë, ishin zhvarrosur nga një varrezë masive në Batajnicë afër Beogradit, ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive në Kosovë.

Çështja e të zhdukurve pritet të jetë temë e diskutimeve në vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG