Lidhje

Kthehen trupat e 12 shqiptarëve të zhdukur


Autoritetet serbe u dorëzuan zyrtarëve të Kosovës, trupat e 12 shqiptarëve të gjetur në një varrezë masive në Serbi.

Trupat e dorëzuar në vendkalimin kufitar në Merdarë, në veri të Prishtinës, janë zbuluar në varrezën masive në Rudnicë të komunës së Rashkës në Serbinë jugperëndimore.

Në Rudnicë deri tash janë gjetur dhjetëra trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Gërmimet atje filluan në dhjetor të vitit të kaluar bazuar në pohimet e autoriteteve serbe të drejtësisë të cilët tre vjet më parë thanë se mund të kenë zbuluar një varrezë masive ku besohet se mund të jenë trupat e 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Autoritetet e Prishtinës u dorëzuan zyrtarëve serbe trupat e tre pjesëtarëve të komunitetit serb të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 659 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG