Lidhje

Kryqi i Kuq i shqetësuar për numrin e njerëzve ende të zhdukur në Kosovë


Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, është shprehur shumë i shqetësuar me ritmin e punës për ndriçimin e fatit të personave që edhe 17 vjet pas luftës në Kosovë, llogariten të zhdukur.

Këto komente u bënë gjatë takimit në Beograd të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq, ku janë diskutuar hapat e mëtejmë që duhet ndërmarrë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me 1 mijë e 666 persona që ende janë në listat e të zhdukurve.

Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq është shprehur i shqetësuar për mungesën e përparimit në këtë çështje, meqë vetëm katër raste janë zgjidhur gjatë vitit 2015, që paraqet numrin më të ulët vjetor të raportuar që nga fundi i luftimeve.

Kryesuesi i grupit punues, Laurent Burkhalter nga Kryqi i Kuq tha se "familjet kanë të drejtë të shprehin zhgënjimin e tmerrshëm për mungesën e përparimit. Ato ndjejnë që e drejta e tyre për të ditur, në mënyrë që të përmbyllin këtë dhimbje, po injorohet. Është me të vërtetë koha që vullneti politik i autoriteteve të kthehet në vepër, e më pas në rezultate.”

Një përparim ishte arritur gjatë vitit 2014 kur trupat 53 personave të gjetur në Rudnicë të Rashkës në Serbinë jugore, ishin zhvarrosur dhe identifikuar.

Megjithatë, thuhet në një komunikatë të Kryqit të Kuq, procesi pothuajse ka ngecur në vitin 2015. Është më se e nevojshme që tani autoritetet të angazhohen aktivisht në hulumtimin e rasteve të personave të zhdukur dhe në kërkimin e vend-varrezave të mundshme. Nga ana e tij, KNKK ka vazhduar të mbledhë informata nga arkivat kombëtare dhe ndërkombëtare mbi personat e zhdukur dhe vend-varrezat e dyshuara.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre të zhdukur. Këto familje janë në pritje për 17 vite të gjata. KNKK do të vazhdojë t’i përkrahë ato në përpjekjet e tyre që kjo e drejtë t’u mbrohet, që kërkesave të tyre t’u kushtohet vëmendje dhe që zëri i tyre të dëgjohet, thuhet në një komunikatë të Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq, i cili që nga vitit 2004 ndërmjetëson bisedimet për këtë çështje me grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova doli nga lufta e vitit 1998 -1999 me mbi 10 mijë te vrarë dhe mbi 5 mijë te zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG