Lidhje

Varrosen trupat e 21 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë


Arkiv

Arkiv

Ata ishin zbuluar në një varrezë masive në Serbi, ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Trupat e 21 shqiptarëve të zbuluar në një varrezë masive në Serbi, u varrosën të premten, 16 vjet pas vrasjes së tyre nga forcat serbe. Varrimi i trupave të dorëzuar të enjten, u bë në fshatin Çikatovë dhe fshatin Gllanasellë të komunës së Drenasit në Kosovën qendrore.

Trupat ishin zbuluar vitin që lamë pas në varrezën masive në fshatin Rudnicë të komunës së Rashkës në Serbinë jugperëndimore, ndërsa për disa muaj ka zgjatur procesi i identifikimit të tyre. Gërmimet në atë varrezë masive kishin filluar në dhjetor të vitit 2013, bazuar në pohimet e autoriteteve serbe të drejtësisë të cilët katër vjet më parë thanë se mund të kenë zbuluar një varrezë masive ku besohet se mund të jenë trupat e 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Gjatë operacionit të gërmimit që zgjati nga prilli deri në qershor të vitit 2014 janë zbuluar trupat e 54 personave.

Në janar të këtij viti, Fondi për të Drejtën humanitare me seli në Beograd, tha se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime lufte në Kosovë. Sipas fondit, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore. Fondi thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG