Lidhje

Thellohen ndarjet në Mitrovicë


Në veriun e Mitrovicës, autoritetet lokale serbe filluan punimet për shndërrimin e rrugës kryesore përgjatë lumit Ibër, në rrugë vetëm për këmbësorë.

Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës, filluan të mërkurën punimet për shndërrimin në shëtitore të rrugës kryesore në bregun verior të lumit Ibër, që shënon vijën ndarëse të këtij qyteti, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Thellohen ndarjet ne Mitrovice
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Rruga që do të jetë e hapur vetëm për këmbësorë, do të quhet me emrin e princit mesjetar serb Llazar Herbelanoviç, i cili ishte vrarë në betejën mesjetare të Kosovës në qershor të vitit 1389 ndërmjet ushtrive ballkanike dhe perandorisë osmane.

Rruga lidhë zonat me popullsi të përzier në pjesën veriore dhe prekë cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, e cila është mbyllur ditë më parë me ngritjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, i cili zëvendësoi një barrikadë prej dheu e betoni që kishte mbajtur të mbyllur urën për tre vjet me radhë.

Mbyllja e urës kishte nxitur reagime të autoriteteve lokale dhe të institucioneve në Prishtinë që i bënë thirrje Bashkimit Evropian të largojë barrikadën. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, tha se ka marrë edhe garanci nga Bashkimi Evropian për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në zonë.

Por, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se parku i paqes dhe sheshi i ri janë aty për të qëndruar.

Dhe natyrisht që nuk do të vendosë Edita Tahiri se çfarë do të ndërtohet, çfarë do të mbillet e çfarë do të korret në veriun e Kosovës dhe në ato zona ku në pajtim me ligjin drejtojnë përfaqësuesit e serbëve në Kosovë”, tha ai.

Autoritetet lokale në pjesën jugore të Mitrovicës, kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve vendase e ndërkombëtare për të ndërprerë punimet me të cilat, po thellohen ndarjet edhe ashtu të thella në Mitrovicë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pjesë e marrëveshjeve në këto bisedime që Serbisë i siguruan hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendosja e plotë e lirisë së lëvizjes në veri.

XS
SM
MD
LG