Lidhje

BE-ja kërkon zgjidhje për “luftën” e shesheve në Mitrovicë


Banorët shqiptarë në veri ngritën një shesh me emrin Adem Jashari, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërtimit të një sheshi me emrin Knjaz Llazarit, princ mesjetar serb. BE-ja kërkon takim të palëve.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, ka bërë thirrje për zgjidhjen e situatës së krijuar në Mitrovicë. Në një njoftim të zyrës së saj, thuhet se ajo po i ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë dhe posaçërisht atyre rreth urës qendrore në Mitrovicë.

Ajo ka kërkuar nga ekipi i saj në Bruksel që të organizojë nesër një takim të të dyja palëve për të punuar në zbatimin e marrëveshjeve për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me urën e Mitrovicës në pajtim me marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe në frymën e normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në një njoftim të zëdhënëses së zonjës Ashton.

Kwrkesa e zonjës Ashton pasoi zhvillimet e fundit nw qytetin e ndarw nw dy pjesw, nw veriun e banuar me shumicw serbe dhe jugun me shumicw shqiptare.

Grupe qytetarësh shqiptarë që jetojnë në “lagjen e boshnjakëve”, një lagje me popullsi të përzier në veriun e Kosovës ngritën gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes, një shesh me emrin Adem Jashari, të cilin shqiptarët e njohin si komandantin legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Banorët vendosën një vazo të madhe betoni në udhëkryqin e kësaj lagjeje, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të autoriteteve lokale serbe në veriun e Mitrovicës për shndërrimin në shëtitore të rrugës kryesore në bregun verior të lumit Ibër që shënon vijën ndarëse të këtij qyteti.

Rruga që do të jetë e hapur vetëm për këmbësorë, do të quhet me emrin e princit mesjetar serb Llazar Herbeljanoviç, i cili ishte vrarë në betejën mesjetare të Kosovës në qershor të vitit 1389.

Rruga lidhë zonat me popullsi të përzier në pjesën veriore dhe prekë cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, e cila është mbyllur ditë më parë me ngritjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, i cili zëvendësoi një barrikadë prej dheu e betoni që kishte mbajtur të mbyllur urën për tre vjet me radhë.

Mbyllja e urës kishte nxitur reagime të autoriteteve lokale dhe të institucioneve në Prishtinë që i bënë thirrje Bashkimit Evropian të largojnë barrikadën.

Banorët shqiptarë thanë se me ngritjen e sheshit Adem Jashari, duan të tërheqin vëmendjen institucioneve të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme ndaj veprimeve të serbëve në zonë. Në të kundërtën, thanë ata, do të ngrihen sheshe të reja në zonat ku banojnë shqiptarët në veriun e Mitrovicës.

Autoritetet lokale serbe thanë se ngritja e sheshit është bërë pa lejen e organeve të ligjshme në atë zonë, ku për herë të parë është ngritur pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina.

Mbajtja e zgjedhjeve ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Pjesë e marrëveshjeve në këto bisedime që Serbisë i siguruan hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendosja e plotë e lirisë së lëvizjes në veri.

XS
SM
MD
LG