Lidhje

Prishtina i kërkon BE-së hapjen e urës në Mitrovicë


Presidentja e Kosovës, qeveria dhe partitë politike kërkojnë reagimin e BE-së për zbatimin e marrëveshjeve për veriun e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të ndihmojnë organet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

Në reagimin e saj pas trazirave të dhunshme të së dielës në Mitrovicë, ajo thekson nëpërmjet një komunikate se “çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës, dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës”.

Duke nënvizuar se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe parim thelbësor i demokracisë, presidentja Jahjaga thekson se “çdo pengesë e vendosur në cilëndo pjesë të territorit të vendit pengon përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe dëmton proceset që çojnë drejt integrimit të secilit qytetar të vendit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”.

Në komunikatë thuhet se presidentja Jahjaga në takimet e fundit me përfaqësues të mekanizmave vendas e ndërkombëtarë të sigurisë, ka theksuar se rivendosja e barrikadës në urën e lumit Ibër, është e papranueshme dhe nuk i ndihmon qëndrueshmërisë dhe paqes në vend.

Ajo i bën thirrje Bashkimit Evropian që “përmes angazhimit konkret të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën dhe me të cilën dëmtohen proceset e zhvilluara në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë Kosovës, që të ndihmojnë në “tejkalimin e situatës së krijuar dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e saj ndërkohë që nga organet e rendit kërkon rivendosjen e qetësisë në qytetin e Mitrovicës”.

Qeveria e Kosovës ndërkaq bëri thirrje për qetësi, maturi dhe vetë përmbajtje duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës “që të mos bien pre e provokimeve nga ata që kanë për qëllim destablizimin e Kosovës”.

Në një komunikatë për opinion ajo i siguron qytetarët se “barrikadat e reja mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejtë dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit”.

Qeveria e Kosovës fton Bashkimin Evropian që të rris angazhimet për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe që sa më shpejtë të lirohet Ura e Ibrit nga pengesat për lëvizjen e lirë, “që është një prej vlerave fondamentale të Kushtetutës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Po ashtu, sigurojmë se në rast të mos efektivitetit në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës do të marrë masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës”.

Thirrje për qetësi bëri edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili vlerëson se dhuna e sotme gjatë protestës në Mitrovicë, “nuk ishte pamje e mirë për vendin”.

Në një komunikate për medie, ai thekson se zgjidhja e problemit të Mitrovicës mund të “bëhet vetëm përmes rrugës institucionale dhe jo në forma të tilla, që u panë sot”.
XS
SM
MD
LG