Lidhje

Zbogar: Zgjidhja për veriun e Kosovës – në bisedime


Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, tha se situata në veriun e Kosovës mund të zgjidhet në kuadrin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Simbolikisht një grup artistësh vendosën mbi lumin Ibër një urë zambakësh uji, një simbol për bashkimin e qytetit i cili tash e 13 vjet me radhë është shndërruar në simbol të ndarjeve të thella etnike në Kosovë.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Sameul Zbogar, tha se vendosja e kësaj ure është përpjekje për të shënuar një moment normaliteti në një vend që nuk është krejt normal.

Nuk kemi normalitet në këtë periudhë dhe ura prapa nesh, nuk paraqet situatë normale”, tha zoti Zbogar, pak metra nga ura kryesore mbi lumin Ibër, ku tash më shumë se një vit është vendosur një barrikadë në pjesën veriore, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të shtrirë autoritetin në zonë.

Zoti Zbogar tha se situata nuk mund të zgjidhet vetëm me largimin e pengesave, por nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse që do t’i bëjë qytetarët në të dyja anët të ndjejnë se gjërat po normalizohen. Kjo, tha ai, mund të ndodhë nëpërmjet bisedimeve.

Për këtë arsye ne po lehtësojmë bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që shpresojmë se në fund do të çojnë në normalizimin e jetës të qytetarëve në Kosovë, në veri dhe marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha zoti Zbogar.

Bisedimet pritet të vazhdojnë në dhjetor, kur pritet edhe fillimi i zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, që fillimisht do të zbatohet në katër vendkalime kufitare, përfshirë edhe dy vendkalimet në veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Beogradi vlerëson se marrëveshja për kufirin është e pafavorshme, por ajo duhet të zbatohet, duke kërkuar një rol të veçantë të EULEX-it në vendkalime. Por kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se asnjë vendkalim nuk do të ketë trajtim të veçantë.

EULEX-i do të ushtrojë funksionet e tij plotësisht me mandatin e tij nga Kuvendi i Kosovës në të gjitha pikat kufitare. Pra, roli i EULEX-it në pikat kufitare në veri do të jetë i njëjtë me atë në jug, perëndim apo diku tjetër. Pra EULEX-i e ka një mandat dhe atë mandat që ja kemi dhënë nga Kuvendi i Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, por është shprehur e gatshme të debatojë normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, në radhë të parë për faktin se me këtë Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Çështja më e nxehtë në këto bisedime pritet të jetë veriu i Kosovës i banuar me shumice serbe, që vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës. Përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se do të kundërshtojnë më të gjitha mundësitë zbatimin e marrëveshjeve që çojnë në njohjen e autoritetit të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG