Lidhje

Kosovë: Debat i gjatë mbi marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi


Disa orë debati të përfaqësuesve të institucioneve e partive politike, ekspertëve e diplomatëve perëndimorë, nuk ndryshuan dallimet e thella rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja që tashmë është ratifikuar nga parlamenti malazez, në Kosovë ka çuar në krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Tryeza e sotme shënoi edhe përpjekjen e parë zyrtare për arritjen e një pajtimi në shkallë të gjerë rreth kësaj marrëveshjeje, mospajtimet rreth së cilës ishin pjesë e zhvillimeve edhe të dhunshme në parlament dhe jashtë tij.

Opozita dhe ekspertët e pavarur ritheksuan sot se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe kanë hedhur poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Përfaqësuesit e institucioneve kërkuan që të vihen në pah argumentet dhe nëse nuk ka pasur gabime, marrëveshja të ratifikohet në parlament.

Ata theksuan sërish se vendi nuk ka humbur asnjë metër katrorë me shënimin e kufirit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tha se "Institucionet dhe komisioni shtetëror kanë bërë demarkacion dhe nuk kanë bërë histori".

Por, kundërshtarët e procesit thanë se ai bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, hartat por edhe historinë.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, kritikoi kundërshtarët e këtij procesi duke theksuar se marrëveshja është në favor të Kosovës, sovranitetit dhe pozitës ndërkombëtare të saj. Ai kritikoi edhe institucionet për mungesë të transparencës të cilën e cilësoi si themel të një shteti ligjor dhe se sipas tij, çështja nuk do të politizohej sikur publiku të njihej me kohë e bazën ligjore te marrëveshjes.

Megjithatë, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë popullit të Kosovës pavarësisht se a ratifikohet apo jo kjo marrëveshje.

E nënshkruar në gusht të vitit të kaluar në Vjenë, marrëveshja nuk është dërguar në parlamentin e Kosovës edhe për shkak të drojës së partive në pushtet se nuk mund të sigurojnë dy të tretat e votave, meqë edhe deputetë nga radhët e tyre mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Tash për tash është e paqartë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të institucioneve të Kosovës të cilat janë përballë trysnisë nga proceset politike rreth Kosovës dhe trysnisë së brendshme për të ndryshuar marrëveshjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG