Lidhje

DASH mbi kufirin Kosovë-Mali i Zi


Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënimin e kufirit është në pajtim me dokumentet dhe hartat e përdorura që nga vitit 1940 e deri më sot.

Kufiri i Kosoves
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “baza e Komisionit për shënimin e kufirit ka qenë Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila e ka definuar kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativë komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se pas një rishikimi të hartave që nga viti 1940 e deri më tani, përfshirë edhe ato që janë përdorur nga komisioni për përcaktimin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit “ka kuptuar se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”.

Në përfundim të njoftimit tërhiqet vëmendja se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.

Më 26 gusht, Kosova dhe Mali i Zi, nënshkruan marrëveshjen për shënimin e kufirit, e cila nxiti reagimet e partive opozitare në Kosovë, të cilat vlerësojnë se me të Kosova humbë rreth 9 mijë hektarë tokë.

Duke kundërshtuar këtë marrëveshje si dhe atë të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, partitë opozitare bllokuan punën e parlamentit që nga 22 shtatori, duke hedhur gaz lotsjellës.

Ato i kërkojnë qeverisë të anulojë marrëveshjet apo t’i hedh ato në referendum, në të kundërtën sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha pas deklaratës së departamentit të shtetit se një numër jo i vogël i ekspertëve të kësaj fushe, kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënimin e kufirit me Malin e zi.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se fakti që kjo çështje është një prej kushteve, për proceset integruese, nuk nënkupton se shënimi i kufirit duhet të bëhet “shkel e shko”. Ajo shpreh bindjen se janë bërë gabime jo të vogla edhe duke u marrë si kriter bazë, kriteri kadastral, që nuk mund të jetë kriter kryesor në shënimin e kufijve të shteteve. Aleanca thekson se do të ngulë këmbë që qeveria të caktojë një komision të ri të besueshëm, duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar, në mënyrë që t’i vihet pikë kësaj çështjeje. Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të hollësishëm sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është e qartë se ato janë bërë, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Qeveria u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ajo është shprehur e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së dy dhjetorit në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG