Lidhje

Kosovë: Debat për kufirin me Malin e Zi


Në Kosovë, parlamenti u përfshi në debate të rrepta lidhur me procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Opozita pohon se Kosova po rrezikon të humbë pjesë të territorit të saj, ndërsa qeveria thekson se kufiri do të shënohet në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe në pajtim me Kushtetutën e vitit 1974, kur Kosova kishte statusin e krahinës autonome në ish Jugosllavi.

Me gjithë debatet e ashpra, deputetët miratuan një Rezolutë nëpërmjet së cilës kërkohet: që referenca juridike dhe faktike e caktimit të kufijve të jetë vija kufitare sipas ndarjes administrative siç ka qenë e paraparë me ligjin në fuqi për kufijtë administrativë të ish-RSFJ-së, sipas Kushtetutë së 1974-tës, dhe kushtetutës së sotme të Republikës së Kosovës. T'i dorëzohet me shkrim Kuvendit dhe Komisioneve përgjegjëse dosja, hartat dhe analiza lidhur me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Kryeministri Isa Mustafa të marrë masa që Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi të bëjë sa më parë publike të gjitha diskutimet dhe çështjet e parashtruara nga pala malazeze. Para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë-Mali i Zi, Qeveria të raportojë në Kuvend

Qeveria të marrë masa që secili banor i zonës ku pritet të bëhet demarkacioni të ketë hartat dhe sqarimet e nevojshme mbi pronat e tyre. Të ftohet për raportim Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

Të bëhet demarkacioni i kufirit me Serbinë sipas kufijve të përcaktuar sipas kushtetutës së 1974-tës.

­­­­­­­­­­­­Kosova ka përmbyllur shënimin e kufirit me Shqipërinë pa asnjë pengesë, ndërsa shënimi i kufirit me Maqedoninë përfundoi mes shumë debatesh në tetor të vitit 2009. Por, çështja e kufijve të Kosovës nuk përmbyllet as me shënimin e kufirit me Malin e Zi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e shtetit të ri të shpallur në shkurt të vitit 2008 dhe rrjedhimisht as kufijtë e tij.

XS
SM
MD
LG