Lidhje

Kosovë: Qeveria dhe opozita pajtohen të debatojnë kufirin me Malin e Zi


Kryesia e parlamentit të Kosovës caktoi tre gushtin si datë të një debati profesional për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Në një tryezë diskutimesh pritet që të përballen mendimet e ekspertëve dhe raporti i komisionit shtetëror që hartoi marrëveshjen e arritur në gusht të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, mospajtimet rreth së cilës çuan në krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Opozita pohon se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Vendimi për të organizuar tryezën e debatit, pasoi pajtimin e qeverisë e cila të premten tha se do të shtyjë për një kohë dërgimin e marrëveshjes për ratifikim në parlament, derisa nuk sqarohen mospajtimet.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se partitë në pushtet janë pajtuar që çështja të diskutohet para se të shkojë në parlament.

Kemi vlerësuar se ka mundësi që akoma të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe të studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive për të argumentuar vërtetë që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve, që do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata në të cilat ne do të mund të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh”, tha ai.

Kryeministri tha se Kosova nuk ka humbur territor me këtë marrëveshje dhe sipas tij, "Kosova kishte 10 mijë e 887 kilometra katrorë, kurse tani shifrat e Komisionit shtetëror prezantojnë territor prej 10 mijë 906 kilometrash katrorë".

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilësoi vendim të mirë ndonëse të vonuar organizimin e tryezës që sipas saj "do të jetë mundësia më e mirë që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë ketë formë të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i falë mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës, se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe prek integritetin territorial të vendit".

Tryeza e 3 gushtit shënon edhe përpjekjen e parë zyrtare për arritjen e një pajtimi në shkallë të gjerë për shënimin e kufirit me Malin e Zi, një çështje që është vënë si kusht nga Bashkimi Evropian për t'i miratuar Kosovës liberalizimin e vizave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG