Lidhje

Kosovë: Në kërkim të rrugëdaljes për shënimin e kufirit me Malin e Zi


Bashkimi Evropian ka ripërsëritur qëndrimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, varet nga përmbushja e dy kritereve: ratifikimi i marrëveshje për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Në dokumentin e miratuar nga Këshilli Evropian me titull "Përparësitë e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së", në pjesën për Kosovën thuhet se Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, që çoi edhe në propozimin e Komisionit Evropian për ta vënë atë në listën e udhëtimeve pa viza në zonën Shëngen "me kusht që në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, Kosova të ketë të ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të ketë forcuar bazën e të dhënave për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit".

Por, Kosova ende nuk ka arritur një pajtim për çështjen e kufirit me Malin e Zi. Opozita nuk pajtohet me marrëveshjen e nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar në Vjenë, meqë sipas saj, ajo lë jashtë territorit të Kosovës mbi tetë mijë hektarë tokë.

Qeveria ka kërkuar të bisedojë më opozitën, por ngulë këmbë se vendi nuk humbë me marrëveshjen që tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi.

Megjithatë, koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes, që kërkon votat e 80 nga 120 deputetët e parlamentit.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, takoi të martën Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme për të diskutuar këtë çështje.

Në një njoftim thuhet se është arritur pajtimi që "grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët, rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit".

Në njoftim, zoti Veseli citohet të ketë thënë se pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, "do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Shengen".

Në takim nuk morën pjesën përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët e listës serbe, ndërsa ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ritheksuan qëndrimet e tyre kundër versionit aktual të marrëveshjes, "theksuan përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për procese me interes për Kosovën".

Marrëveshja më Malin e Zi, çoi në krizë të thellë politike në vend. Më një shtator kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tërhoqi nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes. Sipas, përfaqësuesve të opozitës kjo në fakt nënkupton rënie të kësaj marrëveshjeje dhe tash është koha për rishikim të plotë të saj.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha në fillim të shtatorit se mospajtimet në Kosovë lidhur me shënimin e kufirit ndërmjet të dyja vendeve janë çështje e brendshme e Kosovës dhe pret që ajo të zgjidhet nëpërmjet dialogut të brendshëm të saj.

Debati për kufirin në Kosovë u përcoll gjatë një viti me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG