Lidhje

Kosovë, partitë politike pa marrëveshje për kufirin me Malin e Zi


Partitë politike në pushtet dhe ato të opozitës nuk arritën të merren vesh rreth një deklarate të përbashkët për çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, me të cilën ata synojnë të sigurojnë Bashkimin Evropian se do të zgjidhin këtë çështje në mënyrë që të mos pengohet liberalizimi i vizave. Ata diskutuan në një takim ku të pranishëm ishin edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.

Autoritetet janë vënë sërish në përpjekje që të sigurojnë mbështetjen e opozitës për të miratuar shënimin e kufirit me Malin e Zi. Opozita nuk pajtohet me marrëveshjen e nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar në Vjenë, meqë sipas saj, ajo lë jashtë territorit të Kosovës mbi tetë mijë hektarë tokë.

Ndërsa, qeveria ka kërkuar të bisedojë më opozitën, por ngulë këmbë se vendi nuk humbë me marrëveshjen që tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Arben Abrashi tha se partitë opozitare kanë ardhur në takim me kërkesa të reja dhe kjo sipas tij bëri që të mos arrihet një marrëveshje për konsensus.

“Ideja ka qenë që të rishqyrtohet sipas tyre ndërsa ne kemi qenë të hapur që gjithë dokumentacionin, tërë punën e përballjes së ekspertëve të ofrojmë edhe një herë për grupet e ekspertëve të partive politike konkrete, që grupet të punojnë ndaras për dy apo tri javë në mënyrë që ta arrihet dhe të shihet nëse ka ndodhur ndonjë gabim, por ajo çka është parë është se dje dhe sot një fjalë shtesë që të rishqyrtohet”, tha ai duke nënvizuar se pavarësisht mos marrëveshjes ekspertët e dyja grupeve do të vazhdojnë të punojnë deri te arritja e një konsensusi.

Por, përfaqësuesit e partive politike në opozitë thanë se partitë në pushtet nuk ishin të interesuara për një marrëveshje.

“Sot kemi ardhur me mendimin që do të nënshkruhet deklarata me që ka pasur një marrëveshje nga përfaqësuesit e subjekteve politike, mirëpo sot kishte ndryshuar qëndrim koalicioni qeverisës karshi tekstit të asaj deklarate dhe rrjedhimisht nuk arritëm ta nënshkruajmë një deklaratë të tillë. Pra qartazi koalicioni qeverisës e tregoi edhe njëherë se nuk është i interesuar për ta rishqyrtuar marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe për ta vendosur atë në përputhje me interesin e territorit të Republikës së Kosovës”, tha Visar Ymeri, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje.

“Ndoshta vazhdojnë bisedimet, por sot kemi pritur ne si opozitë që të nënshkruhet marrëveshja dhe të ecim tutje. E vetmja çështje që kemi kërkuar është rishqyrtimi i marrëveshjes dhe pushteti nuk ka qenë i gatshëm me pranu rishikimin e marrëveshjes”, tha Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën.

Partitë politike në Kosovë po debatojnë tash e një kohë për të arritur një konsensus për marrëveshjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, të cilën më një shtator kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës.

Por, çështja e liberalizimit të vizave ka vënë në lëvizje partitë politike në Parlamentin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje. Grupet parlamentare të shumicës dhe një pjesë e opozitës kanë arritur një pajtim për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët, rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit".

Të enjten pritet që deklarata të hidhet për debat në parlamnet, por ende pa një marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike. Opozita ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë këtë deklaratë, derisa nuk përfshihet në të edhe çështja e rishqyrtimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur qëndrimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, varet nga përmbushja e dy kritereve: ratifikimi i marrëveshje për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG