Lidhje

Kryeministrat e Kosovës dhe Malit të Zi, takohen në Shkodër


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç, janë takuar të dielën pa paralajmërim në Shkodër të Shqipërisë.

Të dyja qeveritë lëshuan nga një komunikatë të ngjashme për takimin i cili sipas qeverisë malazeze është realizuar me nismën e kryeministrit të Kosovës.

“Bashkëbiseduesit gjatë takimit miqësor kanë shqyrtuar çështjet dypalëshe dhe janë pajtuar që në periudhën e ardhshme t’i japin një shtysë bashkëpunimit, sidomos atij ekonomik ndërmjet dyja vendeve”, thuhet në një komunikatë të qeverisë malazeze, në të cilën theksohet se të dy kryeministrat kanë diskutuar edhe çështjet që ndërlidhen me bashkëpunimin dhe nismat rajonale.

Njësoj thuhet edhe në komunikatën e qeverisë së Kosovës pa u dhënë hollësi të tjera.

Takimi ndodhi në një periudhë të përpjekjeve në Kosovë për të gjetur një zgjidhje të situatës së krijuar për shkak të mospajtimeve lidhur me marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi e arritur në gusht të vitit të kaluar.

Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen e cila në Kosovë çoi në përplasje edhe të dhunshme. Opozita ngulë këmbë që marrëveshja të kthehet ne pikën zero meqë sipas saj, Kosova humbë 8 mijë hektarë tokë. Qeveria ngulë këmbë se marrëveshja nuk e cënon Kosovën, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të diskutojnë së bashku mundësitë e siç është thënë, matjes së territorit të Kosovës.

Në shtator qeveria e tërhoqi nga rendi i ditës në parlament ratifikimin e marrëveshjes, meqë nuk i kishte votat e mjaftueshme.

Ratifikimi i marrëveshjes është kusht që Kosova të përfshihet në regjimin e udhëtimit pa viza në zonën Shengen. Ajo është e vetmja nga shtetet e Evropës juglindore që ka mbetur jashtë këtij procesi.

XS
SM
MD
LG