Lidhje

Kosovë, mjete shpërthyese në oborrin e xhamisë


Në Kosovë, Bashkësia Islame reagoi pas njoftimeve se në oborrin e një xhamie në rajonin e Drenicës në Kosovën qendrore, është gjetur një sasi mjetesh shpërthyese.

Policia, e cila largoi mjetet shpërthyese, konfirmuar se bëhëj fjalë për rreth 2 kilogram ekploziv por pa fitil ndezës. Ajo nuk ka bërë komente rreth motiveve apo autorëve.

Bashkësia Islame e Kosovës tha në një komunikatë se gjetja e mjeteve shpërthyese në mjediset e xhamisë së komunës së Drenasit, ditën e premte "në kohën e namazit të xhumasë, kur prania e besimtarëve është më e madhe se çdo ditë tjetër, paraqet një akt të papranueshëm dhe me elemente që qojnë në akte terroriste e që për qëllim kanë futjen e frikës, ushtrimin e dhunës, terrorit e shkatërrimit".

Aktet të tilla, thuhet në reagim, "nuk kanë të bëjnë me mësimet dhe predikimet e fesë islame dhe as me traditën e popullit tonë, ndaj kërkojmë nga të gjithë që të jenë të përgjegjshëm dhe më të vëmendshëm për të garantuar jetën e qytetarëve të vendit, pronës së tyre dhe për të ruajtur e garantuar veprimin dhe funksionimin e institucioneve publike e fetare.

Xhamitë janë vend për adhurim, falje e lutje ku besimtarët gjejnë prehje shpirtërore dhe si të tilla duhet trajtuar në mënyrë meritore e jo për dhunë, terror e frikë".

Dënojmë ashpër aktin në fjalë, dhe njëkohësisht kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë të zbulojnë autorët dhe motivet e këtij akti të shëmtuar dhe të tillët të vihen para drejtësisë, thuhet në reagimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

Autoritetet lokale në Drenas thanë nëpërmjet një komunikate se "ky akt me motive terroriste ka ardhur nga persona që nuk janë qytetarë të Komunës së Drenasit", ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin sa më parë këtë rast.

“Komuna e Drenasit, me shqetësim ka marr lajmin për mjetin shpërthyes të vendosur nga persona ende të panjohur në oborrin e xhamisë së Drenasit. Ky është një veprim qyqar dhe i papranueshëm, kur dihet se Drenasi është një qytet shumë i qetë dhe i sigurt që nuk ka pasur asnjë incident që nga viti 2008 dhe vlerësojmë që ky akt me motive terroriste ka ardhur nga persona që nuk janë qytetar të Komunës së Drenasit”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se kjo komunë "nuk ka as edhe një qytetar të përfshirë në konflikte të armatosura jashtë vendit dhe akti i sotshëm ka shqetësuar qytetarin tonë dhe ka qenë befasues, por Komuna në bashkërendim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi dhe të gjithë akterët të cilët janë të thirrur për të ruajtur rendin dhe qetësin publike do të marrin masat e duhura që rastet e tilla të mos përsëritën më”.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

XS
SM
MD
LG