Lidhje

Prishtinë, merr fund protesta e partive opozitare


Në Prishtinë në orët e mbrëmjes përfundoi protesta e partive opozitare e cila u përshkua me përleshje të dhunshme. Protesta filloi në mëngjes pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj Bujupi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosoëvs dhe bastisjes së banesave të dy deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Policia hodhi gaz lotsjellës mbi grupet e veprimtarëve të partive opozitare që hodhën gurë, ngjyrë e gjësende të tjera mbi forcat e policisë.

Protesta u përshkallëzu në orët e pasditës pas vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë për t’i shqiptuar masën e pabargumit prej 30 ditësh deputetes Kadaj Bujupi.

Partia e saj tha pas vendimit të gjykatës se “ky është hapi i parë i një kalimi nga demokracia parlamentare në një sistem diktatorial. Për AAK-në si parti dhe për grupin parlamentar të saj, ky vendim është i porositur nga pushtetarët dhe si i tillë edhe i papranueshëm. Në mungesë të një reflektimi të Presidentës, dhe Kryetarit të Kuvendit për të mbrojtur integritetin e deputetit të zgjedhur nga populli, AAK nuk do të qetësohet derisa deputetja Donika Kadaj-Bujupi të mos jetë e lirë. Përgjegjësinë nga çdo pasojë që del nga ky vendim e bartin urdhërdhënësit e arrestimit politik”.

Partitë opozitare thanë se janë të vendosura të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ata thonë se do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të lirohet deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Për gati dy muaj, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Qeveria e Kosovës dënoi ashpër dhunën e shfaqur gjatë protestave të së mërkurës. Në një reagim të saj thuhet se “hipokrizia e opozitës qëndron në faktin se ata gjoja po protestojnë për mbrojtjen e Republikës, por në emër të mbrojtjes së saj ata po tentojnë ta shkatërrojnë atë, po i sulmojnë institucionet e saj, po përdhosin çdo gjë që është ndërtuar me shumë mund. Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e palëkundur nga dhuna e shfrenuar e një grushti ekstremistësh e banditësh dhe inkurajohet nga refuzimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtyre skenarëve”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG