Lidhje

Mustafa: Do të gjejmë zgjidhje për parlamentin më 12 shtator


Drejtuesit e Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, thanë të hënën se nuk ka asnjë mundësi që deputetët e këtyre partive të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Parlamentit. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se blloku i këtyre tri partive do të veprojë në përputhje me vendimin e gjykatës kushtetuese.

“Vendimi ka thënë se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje dhe ne duhet të angazhohemi maksimalisht që zgjidhja të gjendet në Kuvendin e Kosovës dhe ne do të jemi të qëndrueshëm ne gjetjen e kësaj zgjidhjeje. Ne do të zbatojmë një procedurë kushtetuese të cilën nuk ka askush të drejtë as kryesuesja ta uzurpojë apo të keqdrejtojë dhe ne ftojmë edhe kryesuesen edhe të gjithë ata që do të jenë në Kuvend që të sillemi në mënyrë korrekte, të respektojmë rregulloren e Kuvendit, të respektojmë Kushtetutën dhe mbi këtë respekt të ndërtojmë institucionet të cilat pastaj do të respektohen nga të gjithë ne në Kuvend dhe nga qytetarët”, tha ai.

Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet më 12 shtator për të zgjedhur udhëheqjen e tij, që është kusht për ngritjen e institucioneve në bazë të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura tre muaj më parë. Por, ende është e paqartë nëse kjo mbledhje do të gjejë ndonjë zgjidhje për ngërçin politik për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të partive politike.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje deputetëve të Parlamentit të Kosovës që të gjejnë zgjidhje për ngërçin politik dhe të mundësojnë formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e lehtësimit të dialogut, por siç është thënë vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit.

XS
SM
MD
LG