Lidhje

Fillon gjykimi i Naser Kelmendit


Naser Kelmendi, ndodhet në listën e zezë të SHBA-ve, si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës

Në Prishtinë filloi procesi gjyqësor kundër Naser Kelmendit, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Akuza e ngarkon atë me veprat penale krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikeve të rrezikshëm.

Akuza e ngarkon atë si drejtues të një grupi të organizuar kriminal, për vrasjen në vitin 2007 të myslimano-boshnjakut Ramiz Dalaliç, i cili qe bërë një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës, përfshirë edhe prodhimin dhe përpunimin e 100 kg drogë të tipit heroinë, 150, mijë tabletave “ecstasy”, etj.

Në fillim të procesit ai tha se nuk ndjehet fajtor për akuzat.

Naser Kelmendi i lindur në vitin 1958 në Pejë, në Kosovën perëndimore u arrestua më 6 maj të vitit 2013, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtarë, të lëshuar nga autoritet boshnjake dhe që atëherë mbahet në paraburgim në Kosovë.

Mediet në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Më 1 qershor 2012, nga Departamenti i Thesarit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm, si një trafikant i lëndëve narkotike.

XS
SM
MD
LG