Lidhje

NATO: FSK me mandat të pandryshuar


NATO-ja shpalli sot se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetet operacionale – por mandati mbetet i pandryshuar.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kumtoi sot vlerësimin e Këshillit të aleancës se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja. Por, misioni i saj, mbetet i pandryshuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga selia e NATO-s në Bruksel, sekretari Rasmussen përgëzon anëtarët e Forcës së Sugurisë së Kosovës si dhe pjesëtarët e KFOR-it që ishin përfshirë në ngritjen e kësaj force.

Në komunikatë thuhet se “Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë sikundër ishte gjithnjë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera. Aleanca do të vazhdojë të sigurojë mbështetje dhe këshilla nëpërmjet ndërlidhësve të NATO-s dhe ekipit të këshilltarëve”.

Në komunikatë thuhet se misioni i KFOR-it mbetet po ashtu i pandryshuar: të sigurojë mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

E ardhmja e Ballkanit perëndimorë është në dialog dhe ripajtim, thuhet në komunikatë, në të cilën ju bëhet thirrje pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që të shqyrtojnë përfshirjen në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të siguruar se ajo do të jetë vërtetë një forcë shumetnike dhe përfaqësuese.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Ngritja e kësaj force të cilën shqiptarë e shohin si bërthamë të ushtrisë së Kosovës, është kundërshtuar nga Beogradi, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku kishte deklaruar më herët se forca që e drejton ai është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës dhe se një gjë e tillë pritet të rekomandohet në mesin e vitit 2013.

Deklarimi i NATO-s mbi Forcën e Sigurisë është mirëpritur nga autoritetet më të larta të Kosovës.

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi nëpërmjet një deklarate se ky “shënon një sukses të ri të kësaj force dhe për përpjekjet e gjithëmbarshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet prosperues dhe për të përmbushur vizionin e një force të qëndrueshme me një të ardhme të qartë”.

Në deklaratë thuhet se “Forca e Sigurisë së Kosovës ngërthen në vete synimin për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e Republikës së Kosovës dhe e përgjegjshme për t’iu dalë në ndihmë dhe për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Përkushtimi i palëkundur ndaj misionit të saj për një Kosovë demokratike dhe paqësore e ka renditur FSK-në në mesin e institucioneve më të besueshme të Kosovës, sukses ky që u kurorëzua sot me vendimin e NATO-s. Në integrimin tonë euroatlantik, FSK-ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë”, thuhet mes tjerash në reagimin e presidentes Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se deklarimi i NATO-s “është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, është një kapitull i ri për zhvillimin e FSK-së, sepse Kosova ndan vizionin e NATO-s për një të ardhme ku Ballkani perëndimor është i integruar në strukturat euroatlantike. Pra, është kapitulli i avancimit të FSK-së. Gjithashtu, dua të theksoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që është ndërtuar nga zeroja, duke i përmbushur standardet më të larta të NATO-s, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e NATO-s në kuadër të FSK-së”, thuhet mes tjerash në reagimin e kryeministrit Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG