Lidhje

Stoltenberg: Terrorizmi kërcënim për Evropën


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha në Prishtinë se terrorizmi kërcënon të gjithë dhe duhet të luftohet nga të gjithë

Stoltenberg ne Prishtine
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të premten në Prishtinë se lufta kundër terrorizimit duhet të jetë e përbashkët sepse ky fenomen nuk njeh kufi dhe është kërcënim për të gjithë. Sekretari i përgjithshëm i bëri këto komente gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, që kur mori detyrën e udhëheqësit më të lartë të NATO-s. Ai tha se terrorizimi nuk i takon asnjë kombi apo besimi por është kërcënim për të gjithë. Ai vuri theksin tek shtetasit evropian që po u bashkohen militantëve në Lindjen e Mesme.

Posaçërisht luftëtarët e kthyer paraqesin kërcënim për të gjithë ne, për shtetet në rajon, për të gjitha vendet evropiane. Ne i pamë sulmet terroriste në Paris ditë më parë ndaj njerëzve të pafajshëm.

Sulmet ishin po ashtu sulme mbi vlerat tona themelore të lirisë se fjalës dhe shoqërive tona të lira e të hapura”, tha zoti Stoltenberg, duke bërë thirrje për luftë kundër çdo forme të terrorizimit. Ai vlerësoi miratimin e ligjit nga parlamenti i Kosovës kundër përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s i cili takoi trupat e tij dhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës, tha se nuk i takon kësaj aleance që të vendosë për shndërrimin e Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura, një synim ky i autoriteteve të Kosovës.

Ajo çfarë mund të nënvizoj është se çfarëdo që vendosni të bëni, duhet ta bëni asisoj që të mos krijojë tensione të reja, që nuk nxitë jo qëndrueshmëri dhe ta bëni asisoj që të jetë në pajtim me ripajtimin etnik dhe me qasje pragmatike dhe të pjekur politike”, tha ai.

Beogradi i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe serbët lokal nuk e shohin me sy të mirë synimin për ngritjen e Forcave të Armatosura.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se ato forca do të jenë në interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe do t’u shërbejnë atyre në tërë Kosovën.

Po ne gjithmonë jemi përpjekur dhe do të përpiqemi që çdo institucion i Republikës së Kosovës të ketë shtrirje në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe në harmoni me këtë që Sekretari i NATO-s sot e paraqiti para nesh, ne do të bëjmë përpjekje që të arrijmë pajtueshmërinë e brendshme, të gjithë qytetarëve, të gjitha subjekteve edhe të serbëve, që Forcat e Armatosura të Kosovës të bëhen me pëlqim të plotë, në interes të të gjithëve dhe të shtrihen në tërë territorin, dhe për këtë ne do të punojmë”, tha kryeministri Mustafa.

Aktualisht mbi 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë, ndërsa prania e mëtejshme e tyre, tha sekretari i përgjithshëm, varet nga vlerësimet që do të behën për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon.

XS
SM
MD
LG