Lidhje

NDI: Kosova përfiton nga pjesëmarrja e grave në politikë


Instituti Kombëtar Demokratik, bën thirrje që Kosova të marrë masa për të siguruar shmangien e pengesave për përfshirje kuptimplote të grave në politikë

Instituti Kombëtar Demokratik ka bërë thirrje për forcimin e përpjekjeve për të siguruar një pjesëmarrje kuptimplote të grave të Kosovës në politikë.

Në një raport mbi “tejkalimin e pengesave për pjesëmarrjen e grave në politikë”, Instituti vlerëson përparimet e arritura në Kosovë, por tërheq vërejtje në tri çështje në të cilat duhet të bëhen më shumë përpjekje.

Në radhë të parë kërkohet rritja e mundësive të partive politike për të përfshirë gratë. Sipas raportit, partitë politike nuk janë në gjendje të tërheqin gratë si anëtare të tyre dhe kanë mungesë të programeve për zhvillimin e udhëheqjes politike.

Së dyti, instituti kërkon rritje të hapësirës për gratë. Sipas raportit, strukturat partiake vendimmarrëse dhe pozitat udhëheqëse në nivel kombëtar dhe në degë janë të paarritshme për shumicën e grave. Përveç kësaj, partitë nuk kanë vullnet dhe aftësi për të krijuar hapësirë për gratë e talentuara. Ka pak mundësi për gratë të mbajnë pozita partiake ose qeveritare, e kjo do të mund të nxiste vlerësim më të madh për kontributin e grave në partitë e tyre.

Së treti kërkohet vullnet më i madh politik për të krijuar pjesëmarrje domethënëse të grave. “Për shembull, të gjithë udhëheqësit e partive politike pranojnë të mirën e kuotës gjinore, por këtë kuotë e përcjellin më tepër në letër se në frymën e saj. Partitë shpesh nuk i marrin seriozisht gratë si anëtare, udhëheqëse apo kandidate. Shumë shpesh, partitë i rekrutojnë gratë thjesht për të përmbushur kërkesat minimale ligjore për kuotat. Edhe pse partitë politike mund të pretendojnë të kenë interes në avancimin e grave, kjo retorikë nuk përkthehet domosdoshmërisht në përkushtim real kështu që partitë përballen me sfida të shumta gjatë realizimit”.

Kosova aktualisht zbaton në kuotë prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në parlament.

Instituti konstaton se megjithatë, pjesëmarrja e lartë e votuesve femra në zgjedhjet komunale të 2013-ës ka rritur ndërgjegjësimin e udhëheqësve partiak për fuqinë e votave të grave, e kjo krijoi një mundësi për ndryshim. Është një vlerësim në rritje për fuqinë politike të grave dhe përparësitë që kandidatet gra u sjellin partive duke tërhequr votat e grave, nëse jo domosdoshmërisht vlera e grave si anëtare të partive, apo udhëheqëse dhe zyrtare të qeverisë.

Raporti ofron një kuadër për tejkalimin e pengesave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë në Kosovë. Ai bën thirrje për forcimin e kuadrit ligjor në mbrojtje të kësaj pjesëmarrjeje dhe rekomandon që: të ndërmerret një shqyrtim i ligjit zgjedhor e ligjit për barazi gjinore dhe zbatimit të tyre për të siguruar pjesëmarrjen më të madhe dhe më efektive të grave.

Instituti kërkon që të mbështetet synimi i kuotës gjinore si një mekanizëm për përfaqësim të barabartë dhe një njohje publike për përfitimet që ka dhënë kjo kuotë duke vendosur gratë në poste politike dhe në ndryshimin e qëndrimeve ndaj grave.

Partitë, thuhet në raport, duhet të përqafojnë frymën e kuotës gjinore duke zhvilluar strategji për të rekrutuar gratë si anëtare të partive, me përgatitjen dhe mbështetjen e tyre për të kandiduar si kandidate të suksesshme, dhe duke mbështetur gratë si udhëheqëse në parti dhe në qeveri. Organizatat e shoqërisë civile duhet të mbikëqyrin zbatimin e kuotave gjinore, si dhe efektet e saj.

Partitë politike duhet të ndërmarrin kërkime mbi modelet e votimit të grave për të kuptuar preferencat e tyre, çështjet parësore, qëndrimet dhe trendët. Hulumtimet duhet të përqendrohen gjithashtu në kandidatet femra - pse ato kandidohen dhe pengesat që ato hasin - rolin e shoqërisë civile në mbështetjen e grave, dhe perceptimet publike të grave në politikë. Hulumtim i tillë do t’u mundësojë partive që të zhvillojnë strategji më efektive zgjedhore, thuhet në raport.

Mes tjerash, instituti kërkon që partitë politike të ndajnë burime të barabarta për gratë kandidate, duke përfshirë mbështetje në njerëz dhe mbështetje financiare, paraqitje në medie etj.

Shoqërisë civile dhe medieve u kërkohet që të angazhohen në edukimin e votuesve për përfitimet nga pjesëmarrja e grave në politikë.

XS
SM
MD
LG