Lidhje

Selia e Gjykatës së Posaçme do të jetë në Holandë


Qeveria e Holandës dhe e Kosovës kanë rënë dakord që selia e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë të jetë në Holandë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha të mërkurën në Prishtinë se tashmë qeveria e Kosovës dhe ajo e Holandës kanë arritur marrëveshjen për selinë e Gjykatës së Posaçme për Krime lufte.

Ai tha se marrëveshja është arritur në bisedimet ndërmjet një grupi punues të qeverisë së tij dhe përfaqësuesve të qeverisë së Holandës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në fillim të gushtit të këtij viti, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, i cili pasoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj. Udhëheqësit e opozitës kundërshtuan atëbotë votimin e Gjykatës duke theksuar se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por për një gjykatë gjithëpërfshirëse.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Prokurori amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit 2014, tha në përfundim të hetimeve se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 - 1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën.

Një zyrë e kësaj gjykate pritet të hapet në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG