Lidhje

Kosovë: Hashim Thaçi zgjidhet President


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike.

Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë pasi që në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.

Zgjedhja e tij kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën e sotme duke hedhur gaz lotsjellës.

Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së zoti Thaçi në postin e presidentit duke e akuzuar atë dhe kryeministrin aktual, Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre ata vunë theksin tek marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe "topat e ujit" për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

Zgjedhja e presidentit të ri që sipas Kushtetutës duhet të ndodhë deri më 7 mars, përkon me krizën më të thellë politike që ka përjetuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj. Opozita u hodh në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura para një gjysmë viti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Por, krahas këtyre dy çështjeve, partitë opozitare akuzojnë partitë në pushtet edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, korrupsionin dhe dështimet në politikën e jashtme.

Qeveria kërkon nga opozita që shqetësimet e saj të debatohen në institucione, ndërsa akuzon atë për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë.

Kush është Hashim Thaçi

I lindur më 24 prill të vitit 1968 në fshatin Burojë të komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore, Hashim Thaçi, ishte bërë pjesë e Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në fund të viteve të 80-ta.

Pasi përfundoi studimet në degën e historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ai kaloi në ilegalitet. Në vitin 1997 ai dhe një grup veprimtarësh shqiptarë u gjykuan dhe u dënuan ne mungesë nga një gjykatës serbe në Prishtinë.

Gjatë luftës në Kosovë, ai ishte drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në këtë cilësi mori pjesë në delegacionin e Kosovës në bisedimet e paqes në Rambouillet të Francës, duke drejtuar delegacionin.

Ai u bë kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës e cila u shua me vendosjen e administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Pas luftës u vu në krye të Partisë Demokratike të Kosovës. Në krye të kësaj partie ku ndodhet edhe sot, ai ishte pjesë e ekipit të negociuesve të Kosovë në bisedimet për statusin politik të Kosovës të drejtuara nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, Partia Demokratike doli fituese dhe zoti Thaci u zgjodh kryeministër, detyrë që e ori më 9 janar të vitit 2008.

Me 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Ai u zgjodh sërish kryeministër pas zgjedhjeve të vitit 2010, ndërsa pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014, ai mori postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm.

Zoti Thaçi jeton në Prishtinë, me gruan dhe një fëmijë.

XS
SM
MD
LG