Lidhje

Presidenti Thaçi betohet para Parlamentit të Kosovës


Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, dha betimin e tij në Parlamentin e Kosovës në një seancë solemne, e cila u bojkotua nga partitë opozitare,lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Hashim Thaçi, pason në këtë post, presidenten Atifete Jahjaga e cila sot përmbylli mandatin e saj pesëvjeçar.

Presidenti Thaçi tha se në detyrën e re do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë demokratike, evropiane dhe shumë etnike.

Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë. Kam besim të plotë në institucionet e Kosovës, në parlament, në qeverinë e vendit. Kam besim që do të vazhdohet me qeverisje të mirë. Si president do të jem garantues i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësues i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se Kosova është faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon dhe po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit. Ai tha se Kosova është zotuar të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Të dy vendet duhet të punojnë që të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian, duke lehtësuar njëra-tjetrën dhe jo duke e penguar. Dialogu, nuk ka alternativë, por tani ai duhet të ketë dinamikë dhe energji të re, vendimmarrëse dhe zbatuese".

Ai tha se si president i vendit, edhe sa i përket dialogut, do të punojë për ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe qytetar.

Presidenti Thaçi tha se Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.

Kosova do të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB-së. Kosova është pjesë aktive e bllokut antiterrorist në botë. Do të jemi të pa kompromis në luftë ndaj fundamentalizmit dhe ndaj çdo elementi ekstremist, kudo dhe kurdo që paraqitet”, tha ai.

Zoti Thaçi tha se do të jetë president i unitetit qytetarë.

Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me media, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruajë, kultivojë dhe përfaqësojë unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi më 26 shkurt me 71 vota për dhe dhjetë vota të pavlefshme, Hashim Thaçin, ish kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, në postin e presidentit të Kosovës.

Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 50, përkatësisht 64 vota.

Më 4 mars partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovës, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë procesin që sipas tyre ishte jo legjitim dhe i përcjellë me parregullsi.

Më 4 prill Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli të papranueshme kërkesën e partive opozitare në Kosovë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës.

Kjo ishte hera e tretë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Në dy rastet e para, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë bërë që të dorëhiqen dy presidentë të Kosovës, Fatmir Sejdiu në vitin 2010 dhe Behgjet Pacolli, më 2011.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG