Lidhje

Nishani: Kosova – kryefjala e diplomacisë sime


Bujar Nishani, President i Shqipërisë
Bujar Nishani, President i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, po qëndron në Kosovë, në vizitën e parë jashtë vendit.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u zotua sot se siç tha, Kosova do të jetë kryefjala e veprimtarisë së tij diplomatike. Në ditën e parë të takimeve të tij me udhëheqësit më të lartë në Prishtinë, ai rikonfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për tërësinë tokësore të Kosovës por edhe mbështetjen për bisedimet e saj me Serbinë.

Pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me ftesë të së cilës ai po qëndron në Kosovë, presidenti Nishani tha se vizita e tij e parë si President i Shqipërisë në Kosovë, do të mbetet kujtimi më i bukur i gjithë jetës së tij.

Në këtë vizitë pata mundësinë të përcjell përparimet e mëdha të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilat i kanë arritur në këto vite të pavarësisë dhe të lirisë së tyre. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, po një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha presidenti Nishani.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se vendimi i presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në Kosovë, është porosi që ka simbolikën e vet në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo shfaqi bindjen në vazhdimin e mbështetjes së pakusht të Shqipërisë për proceset politike në Kosovë.

E falënderova Presidentin Nishani për ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria po i jep Kosovës në të gjitha fushat dhe plotësisht u pajtuam që përkrahja e shtetit shqiptar do të vazhdojë edhe në të ardhmen sidomos në lobimin për njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës, në anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe globale, si dhe në përfaqësimin e Kosovës në vendet e treta dhe në rrugën tonë të integrimeve euroatlantike në të cilën Shqipëria po arrin suksese jashtëzakonisht të mëdha dhe ne kemi çka të mësojmë nga këto përvoja”, tha presidentja Jahjaga.

Në një seancë solemne në Parlamentin e Kosovës, Presidenti Nishani tha se Kosova do të jetë përparësi e punës së tij.

Angazhohem solemnisht para jush dhe popullit të Kosovës, se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka theksuar Nishani.

Ai tha se fuqizimi i faktorit shqiptarë në rajon nuk duhet të shihet si kërcënim por si garanci për paqen dhe sigurinë. Duke e cilësuar dialogun si virtyt të shqiptarëve, ai tha se bisedimet janë mjeti më i frytshëm për zgjidhjen e problemeve mes fqinjëve dhe projektimit të së ardhmes së përbashkët shumetnike.

Bazuar në këtë filozofi, Shqipëria mbështet tërësisht bisedimet Kosovë - Serbi për çështjet praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet po ashtu vijat e kuqe që ka vënë Qeveria e Kosovës. Marrëveshjet duhet të zbatohen qartë, pa ekuivoke, sa më shpejt dhe qartë që të sigurojmë pjesëmarrjen e Kosovës në forume ndërkombëtare”.

Presidenti Nishani rikonfirmoi mbështetjen për pavarësinë e dhe kufijtë e paprekshëm të Kosovës, ndërsa vlerësoi lartë procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, i cili po paraprihet edhe nga një proces i ndryshimeve kushtetuese e ligjore.
XS
SM
MD
LG