Lidhje

Shpërthime në veriun e Kosovës


Pamje nga veriu i Mitrovicës
Pamje nga veriu i Mitrovicës

Policia tha se dy shpërthime kanë ndodhur gjatë natës në dy qytete të veriut të Kosovës, por pa pasoja në njerëz

Në Kosovë, policia tha se dy shpërthime kanë ndodhur në pjesën veriore të vendit të banuar mes shumicë serbe, por pa pasoja në njerëz. Një mjet shpërthyes që besohet të jetë granatë dore është hedhur në oborrin e shtëpisë së drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në veri të Mitrovicës, Milan Jakovleviç.

Policia tha se shpërthimi ka lënë pas vetes dëme materiale, po nuk ka pasur dëme në njerëz.

Ndërkohë, në komunën e Leposaviçit, të banuar me shumicë serbe një mjet shpërthyes është hedhur në oborrin e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga ky qytet, Radovan Jovanoviç, duke shkaktuar dëme materiale por pa pasoja në njerëz.

Policia tha se është duke zhvilluar hetime dhe ende nuk dihet për autorët apo motivet e këtyre shpërthimeve.

Një nga përfaqësuesit e serbëve në veri, Radenko Nedelkoviç, u tha mjeteve serbe të informimit se “në këtë mënyrë vërtetohen pohimet e Prishtinës dhe të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare se në veri të Kosovës sundon kriminaliteti dhe paligjshmëria”.

Veriu i Kosovës, vazhdon të jetë jashtë kontrollit të autoriteteve të Prishtinës dhe atje nuk pranohen dhe nuk njihen institucionet e Kosovës. Situata në atë zonë ka bërë që të shtrohen zërat për mundësinë që çështja të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
XS
SM
MD
LG