Lidhje

Tre të dënuar për trazirat e marsit 2008 në veri të Mitrovicës


Trazirat e marsit 2008 - arkiv

Trazirat e marsit 2008 - arkiv

Tre serbë u dënuan me 47 muaj heqje lirie lidhur me trazirat e dhunshme gjatë të cilave një polic ukrainas humbi jetën, ndërsa u plagosën dhjetëra paqeruajtës

Një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Mitrovicë, dënoi sot me gjithsej 47 muaj heqje lirie tre pjesëtarë të komunitetit serb të akuzuar për përfshirje në trazirat e marsit të vitit 2008. Në të njëjtën kohë gjykata la të lirë tre të tjerë.

Misioni i EULEX-it njofton se Marjan Ilinçiç u dënua me 20 muaj heqje lirie, Dragan Millojeviç me 18 muaj dhe Zoran Çaviç me 9 muaj heqje lirie.

Shpallja e aktgjykimit i paraparë për orët e paradites u shty për disa orë meqë grupe serbësh bllokuan ndërtesën e gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ata vendosën makineri të rënda para hyrjes së gjykatës duke pamundësuar hyrjen e forcave të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit në mjediset e gjykatës.

Tre të dënuarit bashkë me tre persona të tjerë akuzoheshin për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të marsit të vitit 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ata akuzoheshin për zaptimin e paligjshëm të gjykatës, thirrje për rezistencë, pengim të personave të autorizuar në kryerjen e detyrave zyrtare, pjesëmarrje në turmë që ka kryer vepra penale dhe rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu ata ngarkohen për dëmtim të pasurisë dhe nxitje të urrejtjes kombëtare.

Gjatë trazirave të asaj kohe një pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara humbi jetën, ndërsa qenë plagosure rreth 100 pjesëtarë të policisë së UNMIK-u dhe të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG