Lidhje

Kosovë: Avokati i Popullit i shqetësuar për kërcënimet ndaj gazetarëve


Avokati i Popullit bëri thirrje të martën për mbrojtjen e gazetarëve por edhe mbrojtjen e individëve nga shpërdorimi i fuqisë së medies

Në Kosovë, Avokati i Popullit, shprehu shqetësimin për kërcënimet ndaj gazetarëve. Në një komunikatë për opinion thuhet se “kërcënimet ndaj gazetarëve, sulmet verbale dhe fizike, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, si dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë. Pa marrë parasysh se kush qëndron prapa kërcënimeve, veprimet e tyre paraqesin jo tolerancë dhe janë të papranueshme e të dënueshme”.

Avokati i Popullit thekson se autoritetet përkatëse kanë detyrim kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme në mënyrë që gazetarët të kryejnë rolin e tyre të domosdoshëm në demokraci, pa asnjë lloj pengese.

Shoqatat vendase e ndërkombëtare të gazetarëve kanë reaguar ditëve të fundit për disa raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë për shkak të raportimeve të tyre për çështje që kanë të bëjnë me veprimtaritë radikale apo edhe hulumtimet rreth keqpërdorimeve të ndryshme.

Avokati i Popullit u bën thirrje edhe medieve, por edhe prokurorisë e policisë, që në rastet e veprimit sipas përgjegjësive ligjore, “mos të shndërrohen në instrumente që cenojnë privatësinë dhe dinjitetin e individëve. Jashtëzakonisht janë shqetësuese rastet e arrestimeve mediale, të cilat automatikisht paragjykojnë fajësinë e individëve. Jo më pak shqetësuese janë edhe rastet kur çështje personale të individëve bëhen objekt debatesh publike përmes mediave, pa pasur një interes të përgjithshëm që do ta arsyetonte një cenim të tillë të së drejtës së tyre të privatësisë”.

Duke nënvizuar se liria e medieve dhe liria e shprehjes janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me marrëveshje e instrumente ndërkombëtare, të zbatueshme drejtpërdrejtë në Kosovë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se “po të njëjtat instrumente e obligojnë shtetin, jo vetëm të mbrojë mediat nga sulmet dhe të mbrojë lirinë e shprehjes, por edhe të mbrojë të drejtat e individëve nga shpërdorimi i fuqisë mediale”.

XS
SM
MD
LG