Lidhje

Kosovë: Gjykata Kushtetuese refuzon Avokatin e Popullit


Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Avokatit të Popullit, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes për vazhdimin e mandatit të anëtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate

Në Kosovë, Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Avokatit të Popullit për shqyrtimin e dekretit të presidentes Atifete Jahjaga për vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Në fillim të muajit tetor Avokati i Popullit Gjykatës Kushtetuese sqarime lidhur me dekretin e presidentes së Kosovës, “për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Në kërkesë, avokati i popullit kërkonte shpjegim nëse “mund të justifikohet devijimi nga Kushtetuta në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të ratifikuar me datën 23 prill 2014 dhe ligjeve të tjera në fuqi në Republikën e Kosovës?”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 31 gusht 2014, ka dekretuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Dekretimi është bërë duke u bazuar në marrëveshjen e ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, pas letërkëmbimit të presidentes me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e gjykatës që do të merret me trajtimin e pretendimeve të ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty.

Letërkëmbimi u miratua më 23 prill më votat e 89 deputetëve të parlamentit të Kosovës.

Vazhdimi i mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë nga presidentja pasoi bllokadën politike për shkak të mosmarrëveshjeve për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përbëhet nga nëntë gjykatës që miratohen nga Parlamenti i Kosovës.

Në vendimin e saj lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit, thuhet se dekreti i nxjerrë nga Presidentja, është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, të përfshira në marrëveshjen me Bashkimin Evropian.

Ajo sqaron se sipas kushtetutës, presidenti emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Parlamentit dhe kjo ka të bëjë me emërimin e gjyqtarëve të rinj vendas në Gjykatë, ndërsa dekreti ka të bëjë me vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve të tanishëm ndërkombëtarë dhe kësisoj kjo pjesë e kushtetutës nuk është e zbatueshme në rastin e tanishëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG