Lidhje

Vetëvendosje, vezë ndaj ministrit të drejtësisë


Pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje qëlluan të premten me vezë ministrin e drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi. Kjo lëvizje publikoi një video ku shihet veprimi i tyre, ndërsa thekson se zoti Kuçi, "përveç që është ministër në një qeveri që po na e sjell "Zajednicën" (fjala serbe për asociacionin e komunave) dhe po i fal territoret, është përgjegjës kryesor për sistemin e rrënuar të drejtësisë”.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se “subjektet opozitare janë të vendosura dhe nuk do t’i ndalin aksionet e tyre pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.

Zoti Kuçi, nuk e ka komentuar këtë veprim i cili u dënua nga qeveria e Kosovës, e cila thekson se “veprimet e tilla të dhunshme, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e përfaqësuesve të institucioneve legjitime të Kosovës dhe kanë për synim të frenojnë progresin dhe proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës”.

Në reagim mes tjerash qeveria u bën thirrje përfaqësuesve të tjerë opozitarë që “të distancohen dhe të mos bëhen pjesë e kësaj agjende antishtetërore, dhe që së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, të jenë pjesë e angazhimeve për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit, integrim në strukturat euroatlantike dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së”.

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media dënoi veprimin e lëvizjes Vetëvendosje ndaj zotit Kuçi, që është edhe nënkryetar i kësaj partie.

Këto akte të shëmtuara, po i cenojnë figurat publike dhe integritetin e tyre personal, po e dëmtojnë gjithnjë e më shumë imazhin e Kosovës në botë”, thuhet në reagimin e kësaj partie e cila bëri që t’u jepet fund veprimeve të tilla të veprimtarëve të lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët e partive opozitare e qëlluan me vezë kryeministrin Isa Mustafa në parlament më 22 shtator derisa ai po raportonte për marrëveshjet me Serbinë dhe me këtë veprim filloi bllokimi i punës së këtij institucioni i cili u përball edhe hedhje të gazit lotsjellës dhe skena dhune.

Që nga atëherë disa funksionarë të qeverisë janë qëlluar me vezë, ndërsa vetëm tri seanca solemne të parlamentit janë zhvilluar normalisht.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u ratifikua të hënën në parlamentin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG