Lidhje

Diplomatët perëndimorë dënojnë dhunën në Prishtinë


Ambasadorët e pesë vendeve kryesore euro-perëndimore, dënuan dhunën e së mërkurës në Prishtinë. Opozita shqyrton veprimet e mëtejme.

Të enjten ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në një deklaratë të përbashkët dënuan “përdorimin e vazhdueshëm të dhunës për arritjen e qëllimeve politike”.

Në deklaratë bëhet thirrje “për respektimin e sundimit të ligjit, procedurave demokratike dhe normave ndërkombëtare. Dhuna politike është e papranueshme dhe dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ajo nuk i sjell dobi askujt. Ne përgëzojmë Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe theksojmë rëndësinë që ka bindja ndaj ligjit nga ana e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh rangun apo pozitën”, thuhet në deklaratë.

Prishtina duket e qetë paraditën e së enjtes pas protestave të së mërkurës që lanë pas vetes 13 të lënduar, 22 të arrestuar dhe shumë dëme materiale.

Për shumë orë më radhë, policia u përlesh me grupet e protestuesve të partive opozitare pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj Bujupi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe bastisjes së banesave të dy deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Policia hodhi gaz lotsjellës mbi grupet e veprimtarëve të partive opozitare që hodhën gurë, ngjyrë e gjësende të tjera mbi forcat e policisë.

Protesta u përshkallëzua në orët e pasditës pas vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë për t’i shqiptuar masën e pabargumit prej 30 ditësh deputetes Kadaj Bujupi.

Opozita diskutoi të enjten veprimet e mëtejme, ndërsa është shprehur e vendosur që të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG