Lidhje

Varroset veprimtari i lëvizjes Vetëvendosje


Mijëra veta morën pjesë sot në ceremonitë e nderimit dhe varrimit të veprimtarit të lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.

Astrit Dehari ishte mbajtur në paraburgim në Prizren për më shumë se dy muaj nën dyshimet për sulm ndaj ndërtesës së Parlamentit të Kosovës në fillim të muajit gusht. Ai ishte arrestuar në fund të muajit gusht së bashku me pesë anëtarë tjerë të lëvizjes Vetëvendosje.

Autoritetet thonë se janë duke kryer hetimet për shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit Astrit Dehari, ndërsa lëvizja Vetëvendosje dyshon se ai mund të jetë vrarë.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, tha se drejtësia duhet të vihet në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet shtetërore për vdekjen e Astrit Deharit.

“Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta sjellë drejtësinë në vend edhe për Astritin, e veçanërisht për Astritin. Nuk do të pajtohemi kurrë. Regjimi i instaluar në Kosovë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit dhe për këtë do të përgjigjen. Drejtësia do të vendoset. Këtë drejtësi e kërkon Astriti. Në këtë drejtësi insistojmë edhe ne”, tha ai.

I ndjeri po hetohej nën dyshimet për përfshirjen në një sulm mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës, që pasoi tensionet e larta politike të nxitura nga mospajtimet rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe asaj të arritur me Serbinë që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG