Lidhje

Përleshje të dhunshme në Prishtinë


Shishe me benzinë, gurë e mjete te forta u hodhën mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës në protestën e opozitës ku u kërkua rrëzimi i qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Përleshje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë shpërthyen pasditen e së shtunës në rrugët e Prishtinës, në përmbyllje të protestës së organizuar nga partitë opozitare me kërkesën për rrëzimin e qeverisë.

Grupe protestuesish hodhën gurë, mjete piroteknike dhe shishe me benzinë mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës, duke i bënë flakën një pjesë të ndërtesës së saj. Organizatorët e protestës nuk arritën të përmbajnë protestuesit.

Policia e cila për rreth gjysmë ore ndoqi protestën pa ndërhyrë, hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve dhe përleshjet vazhduan për disa orë.

Policia përdori edhe vrushkuj uji për të shpërndarë grupet e protestuesve që vazhduan të hedhin shishe me benzinë, gurë, mjete piroteknike e mjete të tjera të forta mbi forcat e policisë.

Përleshje të dhunshme në Prishtinë

Përleshje të dhunshme në Prishtinë

Policia tha se të paktën tetë pjesëtarë të saj dhe dy protestues, kanë pësuar dëmtime gjatë përleshjeve, ndërsa janë shoqëruar 24 protestues.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nëpërmjet komunikatave bënë thirrje kundër incidenteve të dhunshme.

Dhuna u dënua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në reagimin e saj thuhet se “protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë nuk duhet të kontestohet nga askush. Por, kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme".

Ajo u ka bërë thirrje protestuesve "të tregojnë përgjegjësi dhe qetësi", ndërsa ka kërkuar nga organizatorët e protestës të distancohen nga "këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës".

Dhuna u dënua edhe nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës, i cili u mblodh të shtunën në mbrëmje. Duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të ushtrojnë përgjegjësinë që u takon për t’i larguar nga rruga "protestuesit e dhunshëm", këshili kërkoi nga partitë opozitare që të “heqin dorë nga ky skenar për përdorimin e dhunës dhe mjeteve të rrezikshme, për rrënimin e rendit institucional e kushtetues të Kosovës”

“Është për keqardhje, që duke arsyetuar veprimin e protestuesve të dhunshëm, organizatorët e protestës, në mënyrë të qartë po marrin përsipër sulmet ndaj institucioneve të shtetit dhe sfidimin e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike”, thuhet në një komunikatë.

Këshilli i Sigurisë i kërkoi nga organizatorët e protestës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit për t’i vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për pasojat e protestës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, përmes një postimi në rrjetin Tëitter e ka dënuar dhunën e sotme gjatë protestave në Prishtinë.

“Dhuna politike kërcënon demokracinë dhe gjithë atë që Kosova e ka arritur që nga pavarësia”, shkruan ai.

Dhuna u dënua edhe nga zyra e Bashkimit Evropian si dhe nga Misioni I Kombeve të Bashkuara.

Partitë opozitare thanë se pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë, duke falënderuar të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre.

Në një komunikatë të përbashkët thuhet mes tjerash se “në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar”.

Qeveria duhet ta dijë se “pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t'u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa. Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Përleshjet shpërthyen në përfundim të protestës me moton “për shtet me sovranitet”, në të cilën morën pjesë mijëra veta. Në protestën e organizuar nga partitë opozitare në Kosovë, u kërkua rrëzimi i qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në pjesën e fundit të vitit që lamë pas, Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Ajo konstaton se asociacioni do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë me përpikëri vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të ulet në tryezën e dialogut politik dhe të përkujdesen që protestat të jenë të qeta

Opozita kërkon largimin e qeverisë dhe anulimin e kësaj marrëveshjeje sikundër edhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Që nga 22 shtatori i vitit të kaluar e deri në përfundim të sesionit vjeshtor të parlamentit, punët e tij janë përshkuar nga gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës për shkak të mospajtimeve lidhur me marrëveshjet me Serbinë.

Marrëveshjet, pjesa e më e madhe e të cilave nuk janë zbatuar, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG