Lidhje

AAK dhe Nisma për Kosovën - marrëveshje për koalicion parazgjedhor

  • Leonat Shehu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nënshkruan sot marrëveshjen për koalicion parazgjedhor. Zyrtarët e këtyre partive thanë se bashkimi i tyre ndodh për shkak të, siç thuhet, nevojës për një mundësi reale qeverisëse, që garanton qeverisje demokratike, sundim të ligjit, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ardhmëri euro-atlantike për Kosovën.

Ata thanë se do të vazhdojnë kundërshtimin opozitar ndaj siç thanë kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes që sipas tyre kulmuan me dy marrëveshjet kundër kushtetuese, deri në anulimin e tyre, shkarkimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Bashkëpunimi jonë si koalicion parazgjedhor lë dyert e hapura për të gjitha forcat politike, shoqërinë civile, intelektualë dhe qytetarë që nuk pajtohen me gjendjen e aktuale në të cilën është vendi ynë dhe kështu së bashku rreth këtij boshti opozitar, rreth Nismës dhe Aleancës po e ndërtojmë koalicionin i cili do tia ofrojë Kosovës ndryshimin, koalicion fitues, opsion politik fitues që do të ofrojë ndryshimin e gjendjes aktuale në Kosovë”, tha kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Duke qenë se ndjejmë peshën e përgjegjësisë për të ndodhur ndryshimi në vend, Aleanca bashkohet me Nismën në një opsion fitues për të ndryshuar gjendjen në vend. Ne e thellojmë këtë bashkëpunim edhe si ftesë për forca politike për qytetarë, shoqërinë civile që së bashku ta ndryshojmë gjendjen në vend”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata thanë se mbeten të hapur për koalicion parazgjedhor edhe me forcat tjera politike dhe nga shoqëria civile, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, kjo marrëveshje është kritikuar nga lëvizja Vetëvendosje e cila ka thënë se veprimtaritë opozitare e kanë humbur bashkërenditjen nga siç thanë ata veprimet e njëanshme të disa prej figurave tjera opozitare dhe kanë tronditur besimin e kësaj lëvizjeje.

Mos dakordimi për mënyrën e krijimit të një blloku opozitar për zgjedhjet e ardhshme bëri që partitë opozitare të ndahen nga bashkëpunimi i tyre, të cilët për më shumë se gjashtë muaj organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita mbetet në një mendje për të kundërshtuar këto marrëveshje dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por, këto zgjedhje sipas udhëheqësve të koalicionit qeveritar nuk do të mund të mbahen para qershorit 2018, kur janë të parapara me kalendarin zgjedhor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG