Lidhje

Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje - rikthehet në parlament


Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare në Kosovë, vendosi të hënën që të rikthehet në parlamentin e Kosovës. Vendimi u mor disa muaj pasi bashkë me dy partitë tjera opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, kishin vendosur ta bojkotojnë atë në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe asaj për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje - rikthehet në parlament
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri tha se partia e tij do të bëjë punën e opozitës sikurse edhe në të kaluarën dhe do të kundërshtojë këto marrëveshje.

"Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka qenë kundër daljes së opozitës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ne e kemi konsideruar këtë vendim edhe të dëmshëm për kauzën tonë edhe politikisht të padobishme, duke e ditur se bojkotimi i kuvendit në një vend ku regjimi nuk çanë kokën fare për demokraci, është gati se inekzistent", tha zoti Ymeri

Ai tha se bojkotimi ishte pjesë e pajtimit me partitë tjera opozitare për të ruajtur bashkëveprimin, por është bërë e qartë se nuk ka dhënë fryte.

"Kjo nuk ka paraqitur kurrfarë pengese për regjimin. Përkundrazi, bojkotimi i seancave plenare, ia ka lënë duart e lira regjimit që të nxjerrë vendime i papenguar si dhe me kundërshtime shpesh herë minimale e kozmetike. Bërja e opozitës edhe në kuvend, është pengesë për vendimet e dëmshme për vendin, që nxirren nga regjimi aktual që e ka kapur Kosovën", tha zoti Ymeri.

Ndërsa dy partitë tjera opozitare, Nisma për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shohin zgjidhjen në organizimin e zgjedhjeve të reja.

"Është jo e rëndësishme a kthehet njeri nga ne në kuvend. Ne duhet t'u gjejmë një dalje këtyre marrëveshjeve. Pra dalja është duke shkuar në zgjedhje, duke mos vazhduar ose mos insistuar me i kalue ato në çfarëdo forme; ose në kuvend, ose përmes statutit. Pra, situata është shumë më serioze sesa si vendosë opozita; të kthehet në kuvend apo jo", tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Ne si Nismë dhe Aleancë, kërkojmë që menjëherë të ulemi dhe të shpallim datën e zgjedhjeve. Të shkojë vendi në zgjedhje. T'i nxjerrim institucionet legjitime dhe pastaj këto institucione t'u kthehen këtyre temave të rëndësishme për vendin, të korrigjohen gabimet dhe lëshimet që janë bërë dhe përfundimisht t'i mbyllim këto dy tema dhe do të hapeshin mundësi të zhvillimit dhe marrje me temat tjera që janë në interes të vendit", tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.

Mos dakordimi për mënyrën e krijimit të një blloku opozitar për zgjedhjet e ardhshme, bëri që partitë opozitare të ndahen nga bashkëpunimi i tyre, gjatë të cilit, organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës, kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të dyja palët ndërkaq mbetet në një mendje për të kundërshtuar këto marrëveshje dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, këto zgjedhje sipas udhëheqësve të koalicionit qeveritar nuk do të mund të mbahen para qershorit 2018, kur janë të parapara me kalendarin zgjedhor, ndërsa sipas tyre, mospërmbushja e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi mund të dëmtojë edhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, Kosova po përballet me ndarjet më të mëdha politike që nga shpallja e pavarësisë së saj.

XS
SM
MD
LG