Lidhje

Akuzë kundër Azem Sylës për krim të organizuar


Një prokuror ndërkombëtar paraqiti të martën akuza ndaj ish deputetit, Azem Syla, dhe 38 personave të tjerë, për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, mitmarrje, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe evazion fiskal.

Sipas prokurorisë së posaçme të Kosovës, "rasti ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të strukturuar", i cili, siç thuhet, "i ka privuar Kosovës pronat shoqërore". Ky grup, aktiv prej vitit 2006, ishte i përbërë nga shqiptarë dhe serbë.

Akuzë kundër Azem Sylës për krim të organizuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Grupi udhëhiqej nga Azem Syla, ish deputet i Partisë Demokratike dhe një nga udhëheqësit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se grupi ka keqpërdorur pronat shoqërore "përmes veprimeve kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrimin dhe veprimet korruptive. Palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës të drejtat e të cilëve mbi tokat ishin keqpërdorur".

Në kuadër të hetimeve ndaj këtij grupi, në fund të muajit prill të këtij viti ishte realizuar një operacion arrestimesh, bastisjesh dhe konfiskimesh. Azem Syla, që ishte arrestuar më 29 prill, po mbahet në paraburgim bashkë më dy të tjerë.

Apeli vërteton dënimet për krime lufte për 11 pjesëtarë të ish UÇK-së

Gjykata e Apelit në Kosovë vërtetoi dënimet për krime lufte për 11 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishin dënuar në dy procese të njohura si Drenica 1 dhe Drenica 2, në muajin mars të vitit 2015.

Në procesin e parë gjykata dënoi me 12 vjet heqje lirie Sami Lushtakun, kryetar i komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore dhe ish komandant i zonës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa me 6 vjet heqje lirie ish ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, i cili gjatë një periudhe të luftës ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili të panjohur shqiptar në shtator të vitit 1998, ndërsa zoti Selimi, për siç thuhet "cenimin e integritetit trupor dhe shëndetit të një personi të paidentifikuar, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc në rajonin e Drenicës”.

Ndërsa në procesin Drenica 2, gjykata kishte shpallur fajtorë dhjetë të akuzuar për keqtrajtimin dhe torturimin e dëshmitarëve të njohur si A dhe B, civilë që gjatë luftës thuhet se ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Likoc të Drenicës.

Zoti Sulejman Selimi qe dënuar me tetë vjet heqje lirie. Jahir e Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi me nga shtatë vjet heqje lirie dhe gjashtë të tjerë; Bashkim Demaj, Driton Demaj, Agim Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku qenë dënuar me nga tre vjet heqje lirie.

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimet përveç zvogëlimit për një vit të dënimit të Sulejman Selimit si dhe Isni Thaqit nga 7, në 6 vjet e 6 muaj dhe Zeqir e Jahir Demakut nga 7 vjet në 6 vjet heqje lirie.

Të martën, Nexhat Demaku, kryetar i komunës së Drenasit në Kosovën qendrore tha dorëheqje duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunën e tij, njësoj siç pritet të ndodhë edhe me komunën e Skenderajt që drejtohej nga Sami Lushtaku, nëse edhe dënimi i tij lihet në fuqi.

Dënimet kanë nxitur reagime të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat thanë se ato ishin “vendime politike dhe përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë".

Avokatët kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e lartë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG