Lidhje

Kremtohen krishtlindjet ortodokse në Kosovë

  • Besim Abazi

Manastiri i Graçanicës

Manastiri i Graçanicës

Në kishat e manastiret e Kosovës, sot janë mbajtur liturgjitë me rastin e krishtlindjeve ortodokse. Liturgji është shërbyer edhe në kishën ortodokse në pjesën jugore të Mitrovicës si dhe manastiret më të mëdha e më të njohura në Graçanicë dhe në Deçan. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksandër Vulin tha nw Graçanicë, se viti 2013 do të jetë vit i vendimeve të mëdha.

Ky është viti gjatë të cilit presim që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë, të pranojë dhe ta thotë zëshëm se nuk mund të ketë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme pa pajtimin e Serbisë dhe serbëve që jetojnë në Kosovë” tha ai, duke nënvizuar se e Kosova sipas tij, “është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ky fakt nuk do të ndryshojë asnjëherë”.

Policia e Kosovës tha ndërkaq se ka ndaluar nëntë persona që shoqëronin zyrtarin serb në Graçanicë. Ndalimi, që nga autoritete serbe u cilësua si provokim, sipas policisë pasoi “veprime te dyshimta të tyre”, por pa saktësuar se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.

Sipas policisë “personat e dyshuar janë ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së z. Vulin e cila ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë të të gjithë personave prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor. Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë kolonën e eskortës se z. Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të ndaluarve u është caktuar masa e paraburgimit 48 orësh derisa nuk merret një vendim nga organet e drejtësisë.

Kreu i kishës ortodokse serbe në Kosovë, Peshkopi Teodosije, tha se “aksioni i policisë” në manastirin e Graçanicës e ka prishur gëzimin e Krishtlindjeve, ndërsa ka shfaqur pakënaqësinë edhe ndaj moslejimit të vizitave të zyrtarëve serbë gjatë kremtimeve.

Aleksandër Vulin ishte zyrtari më i lartë serb që mori pjesë në kremtimet e krishtlindjeve ortodokse në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë refuzuan t’i japin leje për vizitë presidentit serb Tomislav Nikoliç, i cili kishte kërkuar të qëndrojë në manastirin mesjetar të Graçanicës. Presidenti serb kritikoi sot Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, që nuk ishte në gjendje të sigurojë vizitën tij.

Ky qëndrim do të jetë bazë për negociata. Kjo është në të vërtetë të jesh a të mos jesh – nëse presidentit mund të shkojë në territorin Kosovës ose jo, atëherë për çfarë do të bisedohet. Unë nuk kam kërkuar të shkoj në mision politik por në mision fetar por atje (në Kosovë) nuk ka shumë njerëz që besojnë në zotin”, tha presidenti serb.

Zyrtarët e EULEX-it ritheksuan se vendimet për vizita të tilla i takojnë qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, ka theksuar ndërkaq në një letër dërguar shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, se lejet për vizita të tilla mund të jepen vetëm në rast se edhe Serbia zbaton veprime të ndërsjella, pra të lejojë përfaqësuesit e Kosovës të vizitojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, gjë që nuk ka ndodhur deri tash.

Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk do të lejojnë asnjë veprimtari qeveritare serbe pa lejen e tyre, ndërsa do të sigurojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë shtetasit e Kosovës. Në këtë kuadër udhëheqësit politikë të Kosovës i përgëzuan besimtarët ortodoks me rastin e krishtlindjeve me thirrjet për harmoni tolerancë e mbarësi. Ata thanë në urimet e tyre se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm. e paqësor në mënyrë që të gjithë qytetarët pa dallim etnie a besimi, të ndihen të sigurt për të ardhmen e vet dhe të fëmijëve të tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG