Lidhje

OSBE-ja kërkon mbrojtje të gazetarëve në Kosovë


OSBE-ja dënon kërcënimet me vdekje, përfshirë kërcënimet me prerje koke ndaj gazetarit Visar Duriqi nga elemente radikale në Kosovë.

Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dënoi kërcënimet ndaj gazetarit të portalit informativ Gazeta Express në Prishtinë, Visar Duriqi.

Në një komunikatë për medie thuhet se shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që tu ofrojnë gazetarëve më shumë siguri.

Kërcënimet që Duriqi ka pranuar janë shumë serioze. U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit dhe gjyqësorit që në mënyrë të hollësishme t’i hetojnë këto kërcënime e kërcënimet tjera ndaj gazetarëve në Kosovë dhe të sigurojnë se ata që shkelin lirinë e shprehjes do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre,” citohet të ketë thënë ambasadori Schlumberger.

Visar Duriqi ka raportuar në Policinë e Kosovës se ka marrë një numër të kërcënimeve me vdekje pas publikimit të disa artikujve në të cilët ka zbardhur dhe kritikuar veprimtaritë e grupeve radikale islamike në Kosovë

Përfaqësuesja e OSBE-së për liri te medieve Dunja Mijatoviç, citohet të ketë thënë se “gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të lirë dhe të sigurt. Çdo kërcënim që i bëhet një pjesëtari të medieve duhet të hetohet me urgjencë të lartë. Frikësimet e gazetarëve janë shumë të shpeshta dhe janë të dëmshme për mediet e lira.”

Të mërkurën, organizata ndërkombëtare Gazetarët pa Kufij shprehu shqetësimin për kërcënimet ndaj gazetarit Duriqi, i cili ka raportuar se është kërcënuar me vdekje, përfshirë kërcënimet për prerje të kokës, për shkak të raportimit për mënyrën e “indoktrinimit të besimtarëve të rinj dhe bindjen e tyre për të shkuar në Siri për t’iu bashkuar grupeve xhihadiste”.

Kërcënimet janë dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i cili u është bashkuar thirrjeve për mbrojtjen e gazetarëve.

XS
SM
MD
LG