Lidhje

Vollebaek në Luginën e Preshevës


Komisionari i OSBE-së për pakicat kombëtare Knut Vollebaek, diskutoi me përfaqësuesit e shqiptarëve situatën në Luginën e Preshevës.

Komisionari për pakicat kombëtare i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Knut Vollebaek, qëndroi sot në Luginën e Preshevës për të diskutuar me përfaqësuesit e shqiptarëve mbi situatën e krijuar atje pas largimit të pllakës përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Komisionari Vollebaek, tha se rajoni është i rëndësishëm dhe organizata e tij është e angazhuar për tejkalimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet ajo zonë.

Ai vizitoi edhe një hapësirë në komunën e Bujanocit, ku planifikohet të ndërtohet Fakulteti Ekonomik në të cilin do të studiojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në zonë kërkuan që autoritetet serbe të kthejnë pllakën përkujtimore të hequr nga qendra e Preshevës dhe në të njëjtën kohë të hiqet një pllakë përkujtimore e vendosur në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, që u kushtohet pjesëtarëve të forcave serbe.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë paralajmëruar për të premten një protestë në Bujanoc kundër kësaj pllake përkujtimore.
XS
SM
MD
LG