Lidhje

Kosovë: Mospajtime në parlament


Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, lëshoi takimin e kryesisë së Parlamentit në shenjë mospajtimi me përcaktimin e forcës politike të grupeve parlamentare

Kryesia e Parlamentit të Kosovës, pa Partinë Demokratike, përcaktoi sot koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, si grupin më të madh parlamentar. Sipas këtij vendimi, në mbledhjen e parë të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahet më 17 korrik, ky grup ka të drejtën të propozojë kryetarin e Parlamentit.

Por, me këtë nuk është pajtuar kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, i cili lëshoi para kohe mbledhjen e kryesisë së Parlamentit me kryetarët e partive politike, e cila përgatitë mbledhjen e 17 korrikut.

Zoti Thaçi, tha se mbledhja nuk i ka respektuar procedurat mbi të cilat duhet të caktohet rendi i ditës së seancës së 17 korrikut dhe se partia e tij ngulë këmbë në veprimet që janë në pajtim me ligjet e kushtetutën e vendit dhe votën e qytetarëve.

Ndërsa çdo vrull tjetër i muskujve politik, vjen për të përmbysur vullnetin politik të qytetarëve, bie ndesh me përputhshmërinë e rregullores së punës së Kuvendit, në kundërshtim me ligjet dhe në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kështu që ne, i siguroj qytetarët e Kosovës se do të marrim pjesë në seancën konstituive, që mbahet të enjten, si forca politike fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, do ta implementojmë në tërësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Kështu që sot kishte devijim të plotë të rendit të ditës nga rregullorja e punës së kuvendit. Kishte tendencë, nëse nuk na ndodhur tashmë, për ta shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha zoti Thaçi.

Partia Demokratike doli e para në zgjedhjet e parakohshme të tetë qershorit duke siguruar 37 vende në Parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata sigurojnë një grup prej 47 deputetësh. Sipas kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi, kjo përcakton edhe forcën politike në pajtim më kushtetutën dhe rregulloret e punës së Parlamentit.

Ne në këtë rast kemi grupin më të madh parlamentar deri më tash të konfirmuar me nënshkrime nga vet deputetët, që ka 47 deputetë dhe ky konsiderohet grupi më i madh parlamentar. Ajo që dua të them është se të gjitha pikat që janë përcaktuar për seancës e radhës janë marrë me konsensusin e të gjithë atyre që ishin prezent”, tha zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se mbledhja e sotme nuk është përshkuar me përplasje, pavarësisht që Partia Demokratike braktisi punimet.

Nuk ka muskuj, sepse asnjëri nuk doli para zoti Thaçi. Ishte duke udhëhequr seancën kryetari i kuvendit dhe s’kishte asnjë përplasje, s’kishte asnjë sjellje jokorrekte brenda. Ai e tha të veten dhe doli. Dhe nëse dikush ka treguar muskuj aty, ka treguar ai që nuk e ka pranuar, s;ka qenë tolerant në një bisedë e cila kishte me qenë bisedë demokratike, e argumentuar dhe për një bisedë të tillë jemi gjithmonë dhe për një debat të tillë, por assesi që ta themi vetëm tonën dhe të largohemi”, tha zoti Mustafa.

Koalicioni Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, llogaritë në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit dhe të formojë qeverinë, nëse këtë nuk arrin ta bëjë Partia Demokratike, e cila do të ketë mundësinë e parë për një gjë të tillë.

Por, lëvizja Vetëvendosje kushtëzon mbështetjen e saj me disa çështje që kanë të bëjnë mes tjerash me ndryshimin e qasjes së Kosovës kundruall bisedimeve me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit. Glauk Konjufca nga kjo lëvizje, tha se deri të dielën presin që parimet e tyre të miratohen në formë të shkruar.

Nëse nuk arrihet marrëveshja jonë me grupin parlamentar LDK-AAK-Nisma, ne që tash u themi atyre se nuk mund ta votojmë askënd as për hatër e as për inat të ndonjë individi. Por, votojmë për dhe kundër dhe pozicionimet tona i kemi varësisht se çka përfaqësojnë ata në mënyrë programatike, konceptuale, politike për shtetin e Kosovës, për negociatat me Serbinë, për privatizimin e Trepçës, PTK-së e kështu me radhë. Varësisht kësaj marrëveshjeje, ashtu do të përcaktohet edhe vota jonë për kryetarin e kuvendit”, tha zoti Konjufca.

Mbledhja e parë e parlamentit e caktuar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, do të jetë sprova e parë për procesin më të ndërlikuar deri tash të formimit të institucioneve të reja. Nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG