Lidhje

Pezullohet zgjedhja e kryetarit të Parlamentit


Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që parlamenti të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të tij

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi sot masën e përkohshme me të cilën pezullohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës në seancën e parë të 17 korrikut.

Të enjten e kaluar, parlamenti i Kosovës u mblodh në seancën e parë pas zgjedhjeve të parakohshme të tetë qershorit. Në atë seancë kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa u zgjodh kryetar, por pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më pas kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi që ishte votuar nga 83 deputetë të Parlamentit.

Gjykata tha se ka miratuar masën e përkohshme deri në publikimin e vendimit përfundimtar dhe jo më vonë se 18 shtator 2014 nga nxjerrja e këtij vendimi.

Me këtë masë pezullohet menjëherë vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Parlamenti duhet të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, thuhet në njoftimin për masën e përkohshme.

Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës. Përfaqësues të saj thonë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si i tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit dhe kanë numrat e mjaftueshëm edhe për ngritjen e qeverisë së re, nëse këtë nuk mund ta bëjë Partia Demokratike.

Në fund të qershorit Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese është Partia Demokratike e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi ajo e cila merr e para mundësinë për formimin e qeverisë.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje, janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, për t’i pamundësuar asaj formimin e qeverisë.

Pezullimi i zgjedhjes së kryetarit, rrjedhimisht pezullon edhe procesin e formimit të qeverisë së re e cila duhet të votohet në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG