Lidhje

Ndërpritet raportimi mbi bisedimet Kosovë-Serbi


Parlamenti i Kosovës ndërpreu seancën e raportimit të kryeministrit Hashim Thaçi pas protestës së lëvizjes Vetëvendosje

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ndërpreu fjalën e tij para deputetëve të Parlamentit, pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet një veprimi simbolik, shprehën kundërshtimin ndaj bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në kohën kur kryeministri Thaçi, mori fjalën për të raportuar mbi rrjedhën e bisedimeve, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dolën para deputetëve të Parlamentit me një pankartë me mbishkrimin “Kosova e Hashim Thaçit”, në të cilin veriu i Kosovës ishte dalluar me ngjyrë të kuqe.

Lëvizja Vetëvendosje akuzon kryeministrin Thaçi se përmes bisedimeve me Serbinë, po krijon autonomi për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kryeministri Thaçi, ndërkaq, mbajti një konferencë shtypi në mesditë, për shkak të siç tha “pamundësisë së raportimit në Parlamentin e Kosovës”.

Ai tha se qëllimi i lëvizjes Vetëvendosje, “ishte që t’iu pamundësohet qytetarëve e vërteta për dialogun me Serbinë dhe tendenca për të krijuar mjegull”.

Ai sërish hodhi poshtë çdo mundësi që veriu i Kosovës të ketë ndonjë trajtim të veçantë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vazhdojnë të hënën në Bruksel.
XS
SM
MD
LG