Lidhje

Parlamenti i Kosovës pa rezolutë për Luginën e Preshevës


Për disa orë me radhë parlamenti diskutoi rrugët e përkujdesjes për shqiptarët në jug të Serbisë

Parlamenti i Kosovës, dështoi të miratojë një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Për disa orë më radhë ai diskutoi duke kërkuar kujdes shtetëror për shqiptarët që jetojnë në ato komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Nismëtari i debatit. Lutfi Haziri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se shqiptarët në zonë nuk i gëzojnë të drejtat elementare që sigurohen edhe me konventa ndërkombëtare, ndërsa bëri thirrje që Prishtina të shtojë kujdesin për shqiptarët e atyre komunave..


Qeveria e Kosovës të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe nacionale. Qeveria e Kosovës duhet të ketë më shumë kujdes dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptar nga këto komuna që janë shpërngulur në Kosovë dhe të drejtat e tyre janë të cenuara. Qeveria të hapë një zyrë në Prishtinë dhe një tjetër në Gjilan për qytetarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja me qëllim të mbrojtjes së drejtave dhe përmirësimit të gjendjes së tyre”, tha zoti Haziri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi propozimin që në vend të rezolutës të bëhen ndryshime në Kushtetutën e Kosovës.

Propozoj që nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës t’i shtohet edhe pika 4, dhe të theksohet: Republika e Kosovës ka të drejtët ë interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, tha se debati për Luginën e Preshevës po ndodhë në kohën kur Kosova është në prag të ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ku nuk është përmendur fare ajo zonë.

Tash, pasi e kemi kryer marrëveshjen mund të ulemi e të flasim se qysh mund ta hapim një zyrë, që kur Daçiqi, me të cilin tash kemi marrëdhënie normale, të na i përzë shqiptarët nga atje, ta hapim zyrën, ua japim nga një batanije, ua shpërndajmë nga një litër qumësht a diçka tjetër për ata që do të dëbohen”, tha deputeti Aliu.

Mospajtimet ishin më të thella rreth propozimit që pjesë e rezolutës të bëhet edhe propozimi që Kosova të ndryshojë një nen të Kushtetutës. Një pjesë e opozitës hodhi dyshimet që kjo mund të ishte precedent për raste të tjera duke vënë theksin të mundësia e ndryshimeve që mund të nxitën në funksion të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mungesa e numrit të mjaftueshëm të deputetëve në sallën e parlamentit, bëri që votimi të shtyhet për ndonjë seancë tjetër ku do të mund të debatohej sërish çështja e Luginës së Preshevës.

Udhëheqësit politik të zonës, thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001, kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG