Lidhje

Parlamenti i Kosovës me rezolutë për Luginën e Preshevës


Deputetët më shumicë votash miratuan një rezolutë me të cilën kërkohet mbështetje për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Parlamenti i Kosovës miratoi sot me 74 vota për dhe katër kundër, një rezolutë në mbështetje të të drejtave elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Në tekstin e rezolutës, të paraqitur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, që ishte edhe nismëtar i saj, kërkohet shtimi i kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe qasja e njëjtë ndaj të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në atë zonë.

Në Rezolutë kërkohet edhe lirimi i të burgosurve politik që mbahen nëpër burgjet e Serbisë, që Kosova të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që do të përkujdeseshin për këtë qëllim.

Rezoluta i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të heq taksat e sigurimeve që paguhen nga qytetarët e asaj zone për kalimin e kufirit Serbi - Kosovë.

Votimi i sotëm pasoi dështimin e një jave më parë për miratimin e kësaj rezolute e cila pati nxitur shume debate në Parlament.

Mospajtimet ishin më të thella rreth propozimit që pjesë e rezolutës të bëhet edhe propozimi që Kosova të ndryshojë një pjesë të Kushtetutës me të cilën ajo do të kishte detyrim mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës..

Një pjesë e opozitës hodhi dyshimet që kjo mund të ishte precedent për raste të tjera duke vënë theksin të mundësia e ndryshimeve që mund të nxitën në funksion të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta e sotme u miratua pa këtë propozim.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.
XS
SM
MD
LG