Lidhje

Debat në parlamentin e Kosovës pa PDK-në


Partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, fajësuan PDK-në për bllokim të formimit të institucioneve të reja.

Pa praninë e Partisë Demokratike, deputetët e Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe lëvizjes Vetëvendosje, debatuan sot në Parlamentin e Kosovës për tejkalimin e situatës së krijuar në vend ku ende nuk janë krijuar institucionet e reja.

Debati i sotëm pasoi refuzimin e kërkesës së këtyre partive për vazhdimin e seancës së parlamentit ku duhet të zgjidhet kryetari i tij që është kusht për ngritjen e institucioneve.

Debati më shumë se dyorësh u përmbyll me dy kërkesa të këtyre partive politike.

Konstituim sa më të shpejt të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që t’i hapet rruga krijimit të Qeverisë së re, duke respektuar parimet themelore të demokracisë parlamentare. Zgjidhje për konstituimin e Kuvendit në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare e cila përkon me Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e organeve të Kuvendit”, thuhet në përfundimet e paraqitura në fund të debatit.

Koalicioni i këtyre partive, pretendon se shumica parlamentare e përbërë prej tyre mund të formojë institucionet. Deputetët e tij kritikuan ashpër Partinë Demokratike për bllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit gusht, shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet. Por, kjo parti nuk ka vota të mjaftueshme.

Të mërkurën janë mbushur katër muaj që kur Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ende nuk është bërë asnjë hap drejt formimit të institucioneve të reja. Partitë politike nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se janë të gatshme të merren vesh për tejkalimin e situatës së krijuar në vend, ndërsa presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është vënë në përpjekje për të lehtësuar dialogun politik ndërmjet tyre, ndonëse takimet e deritashme nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje në qëndrimet e partive politike në vend. Një ditë më parë Komisioni Evropian tërhoqi vërejtjen se polarizimi i mjedisit politik pas zgjedhjeve të qershorit ka çuar në një bllokadë politike që ka shkaktuar shtyrjen e reformave thelbësore në vend.

XS
SM
MD
LG