Lidhje

Miratohet në parim projektligji për zgjedhjet në Kosovë


Pakicat kombëtare kundërshtojnë ligjin duke kërkuar që t’u mundësohet përfaqësim më i gjerë në Parlament

Parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjin për zgjedhjet që do të duhej t’i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndonëse ishte menduar dhe planifikuar ndryshe, projektligji i miratuar të enjten e që duhet ti nënshtrohet edhe një diskutimi, nuk përmbushë synimet për një reformë zgjedhore që ishte paralajmëruar që në pranverën e vitit 2011. Ndryshimet merren më shumë me çështje administrative. Kosova do të vazhdoj të mbetet njësi e vetme zgjedhore, sistemi zgjedhor do të jetë proporcional, me lista të hapura, sikundër ishte edhe ne të kaluarën. I vetmi dallim është që fushata për zgjedhjet do të jetë 15 ditëshe.


Deputetët e pakicave kombëtare kritikuan mungesën e një neni që do të siguronte vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për një mandat dhe për këtë arsye deputetët nga radhët e komunitetit serb nuk morën pjesë fare në seancën e parlamentit. Për këtë arsye është protestuar edhe në komunën e Gracanicës, afër Prishtinës.

Sipas planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, komunitetet pakicë gëzonin të drejtën e 20 ulëseve të rezervuara për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit, kurse më pas, ato shndërrohen në ulëse të garantuara. Dallimi qëndron në faktin se përmes vendeve të rezervuara, komunitetet fitojnë 20 deputetë automatikisht dhe llogarisin në vende shtesë që sigurojnë përmes votave, ndërsa vendet e garantuara u sigurojnë atyre vetëm 20 deputetë në Parlament. Dhjetë nga këto vende i takojnë komunitetit serb, ndërsa dhjetë pakicave të tjera etnike.

Përfaqësuesit politik serbë shpresojnë që të shfrytëzojnë nevojën e institucioneve për miratimin e ligjeve për të cilat kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve dhe njëkohësisht dy të tretat e votave të pakicave kombëtare për të siguruar si kundërshpërblim vendet e rezervuara.

Ndonëse qershori është përmendur si periudha më e pranueshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ende nuk ka një pajtim në shkallë të gjerë. Po ashtu çështja e mandatit të EULEX-it dhe Gjykatës se veçantë për krime lufte duhet të kalojnë nëpërmjet Parlamentit të Kosovës dhe kjo do të kushtëzojë edhe vendimin për periudhën kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, meqë duhet të vendoset nëse ato do të mbahen para 15 qershorit kur duhet të fillojë mandati i ri i EULEX-it, ose ato të mbahen më vonë.

Institucionet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian janë duke diskutuar aktualisht mandatin e EULEX-it. Autoritetet në Bruksel mendojnë që ky mision duhet të vazhdojë të qëndrojë edhe për një kohë në Kosovë. Po ashtu diplomatë perëndimorë po diskutojnë me Prishtinën idenë për një gjykatë të veçantë e cila pasoi hetimet mbi pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty mbi siç thuhet, përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
XS
SM
MD
LG